Zbulohet dokumenti që ‘tregon’ sesi minatorët janë fajtorë... për vdekjen e tyre!

Shqipëria

Zbulohet dokumenti që ‘tregon’ sesi minatorët janë fajtorë... për vdekjen e tyre!

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 21:51
Ilustrim

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2008 janë aksidentuar të paktën 221 minatorë, 34 prej të cilëve kanë humbur jetën.

Referuar dokumenteve të Inspektoriatit të Punës, thuajse në të gjithë aksidentet, shkak bëhet moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik.

Por, në këtë punë të vështirë, shpesh është bërë “pazar” edhe me jetën e minatorëve.

“Top Story” ka siguruar procesverbalet e 5 aksidenteve me vdekje të ndodhura në vitet 2017-2018. Në të gjitha rastet, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë në Miniera bën fajtorë vet viktimat. Le t’i marrim me radhë këto procesverbale, për të kuptuar fajin e viktimave dhe pafajësinë e biznesmenëve të kromit.

Në datë 15 nëntor të vitit 2017, në një galeri në “Zonën D” në shfrytëzim nga kompania “Brisel”, ndodh një aksident me vdekje, ku humb jetën 27-vjeçari Eduard Dama. Në raportin e AKSEM thuhet se, viktima është zënë poshtë nga një masiv shkëmbor. Fajin e ka marrë me vete në varr, pasi – sipas raportit, – ai ka shkelur në një zonë të ndaluar, në kundërshtim me urdhrin e punës. Kjo kompani ka pronar anëtarin e Këshillit Bashkiak, Rrahim Dedja, përfaqësues i Partisë së të Drejtave të Mohuara.

Më 12 mars të vitit 2018 ndodh një aksident me vdekje, ku humb jetën minatori 68-vjeçar Enver Koçi. Aksidenti ndodhi në galerinë numër 34, në “Zonën D”, e cila shfrytëzohej nga kompania “Alb-Lea”. Në procesverbalin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë në Miniera thuhet se, minatori ka humbur jetën pasi duke ndezur dinamitin e fundit, kanë shpërthyer ata që kishte ndezur më herët. Pra, fajin e ka marrë viktima që nuk është larguar në kohë.

Por, në mënyrë absurde inspektorët nuk kanë analizuar një detaj të rëndësishëm. Viktima ishte 68 vjeç dhe duhej të kishte dalë me kohë në pension.

Më 12 prill të vitit 2018, në vendburimin “Shkallë Mucek” aksidentohet për vdekje minatori 58-vjeçar, Petrit Milkurti. Ai punonte për subjektin “Dema-Patin” me administrator Edmond Isakun, aktualisht anëtar i Këshillit në Bashkinë e Bulqizës, si dhe nënkryetar i degës së Partisë Demokratike. Babai i 4 fëmijëve shërbente si armator, pra vendoste lëndët plasëse në frontin e punës, nga ku do të nxirrej minerali. Ai ka nisur ndezjen e minave njëra pas tjetrës. Shpërthimi i ka marrë jetën në vend. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë në Miniera thotë se fajtor ishte viktima, pasi nuk u largua në kohë pas ndezjes së fitilave.

Dy ditë më vonë, më 14 prill 2018 humb jetën 38-vjeçari Agjelos Shahini, baba i dy fëmijëve. Ai punonte si zjarrmëtar në galerinë 41, që shfrytëzohej nga kompania “Aris Nivelet”. Sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë në Miniera, punëtorët kanë qenë të pajisur me mjetet mbrojtëse, lënda plasëse është tërhequr sipas rregullave, instruktimet janë kryer sipas rregullave dhe shpimi për vendosjen e dinamitit është bërë sipas pasaportës së shpim-plasjes.

Por, si konkluzion, edhe kësaj here viktima ishte larguar me vonesë pasi ka ndezur fitilët e lëndës plasëse. Pra, asnjë përgjegjësi për kompaninë. AKSEM bën me dije për “Top Story” se, pas aksidenteve me vdekje është ndaluar përdorimi i fitilëve zjarrpërcjellës për minat.

Më 11 maj të vitit 2018, në galerinë numër 58 të kompanisë “Valteri Grand” vritet nga shpërthimi i minave Mehdi Hidri, babai i 5 fëmijëve. Sipas procesverbalit, viktima kishte marrë urdhrin për përgatitjen e minave në nënkatin e dytë të galerisë. Por, sipas AKSEM, minatori 62-vjeçar kishte shkuar në nënkatin e katërt, për të cilin ishte marrë urdhër të mos shkelej pasi kishte rrezik. Aty, minatori ishte zënë poshtë nga një masiv shkëmbor. Sipas Autoriteti Kombëtar për Sigurinë në Miniera, 62-vjeçari ka shkelur urdhrin e punës. Por, pyetja që ngrihet është se, si mundet që një minator të shkojë në një zonë ku mund të humbasë jetën, pra, të vetëvritet?

Siç treguam përmes dokumenteve ekskluzive, viktimat kanë marrë me vete edhe peshën e fajit nga këta inspektorë të shtetit. Dyshimi mbi ta shtohet se, këta inspektorë janë të stacionuar në Tiranë dhe për të mbërritur në Bulqizë duhen 4 orë, mjaftushëm për të prishur provat.

“Ky është, unë do ta quaja maskarallëk. Maskarallëk në pikëpamjen morale, t’i vësh faj atij që ka ikur nuk është njerëzore, faj ka ai që drejton, faj ka ai që merr fitimet”, tha Martin Cukalla, ish-drejtor i minierës së Bulqizës.

Por, kjo nuk është më e keqja që mund të ndodhë në galeritë e Bulqizës. Një pjesë e mirë e aksidenteve nuk raportohen fare dhe punëtorët nuk flasin.

“Mbulohen në disa raste, janë kompani shumë të rrezikshme”, tha një banor.

“Ndodhin aksidente dhe nuk i tregojnë”, tha një tjetër banor i Bulqizës.

“Ka pasur raste që fajtori më i madh ka qenë viktima, kështu ka rezultuar”, shprehet një tjetër banor për “Top Story”-n.

“Ka pasur tentime për t’i fshehur dhe tentohet, por falë bashkëpunimit me policinë, shërbimet spitalore, jemi njoftuar në kohë për t’i evidentuar dhe ka nisur inspektimi i menjëhershëm”, tha Roland Kurti, drejtor i ISHPSHSH-së, Burrel.

Shkeljet janë të ndryshme sipas rastit. Ka minatorë të cilët pësojnë aksidente në punë, por atyre u mbyllet goja me parà ose shantazh.

“Kryesisht janë aksidente të lehta, që tentohen në bashkëpunim me të dëmtuarin, na raportohet që jam dëmtuar në banesë, por ne si Inspektoriat kemi nisur punën, kemi marrë kontakt me punëtorët e tjerë dhe kemi marrë masa ndaj subjekteve”, tha Roland Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat