Deklarimet kontradiktore të gardistit që vrau gruan, nuk shfaq asnjë pendesë për krimin

Shqipëria

Deklarimet kontradiktore të gardistit që vrau gruan, nuk shfaq asnjë pendesë për krimin

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 16:49
Alket Arapaj

Ashtu si në deklarimet paraprake, edhe në dëshminë para prokurorit, gardisti që vrau gruan dy ditë më parë në Tiranë, ka qenë kontradiktor në thëniet e tij.

Burime nga grupi hetimor thanë dje se 44-vjeçari Alket Arapaj, 24 orë pas ngjarjes, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, i shqetësuar më tepër për fatin e vajzës së tij 3-vjeçare, por nuk ka shfaqur pendesë për krimin. Arapaj mësohet të ketë deklaruar se e vrau bashkëshorten, Ervilma Seferajn, për shkak se dyshonte se takohej me persona të tjerë gjatë kohës që ai ishte në punë.

“Nuk më thoshte asnjëherë të vërtetën kur unë e pyesja për diçka që dyshoja. Nuk ishte e sinqertë me mua”, mësohet të ketë deklaruar koloneli i Gardës së Republikës. Nga ana tjetër, duke parë gjendjen psikologjike, vazhdimisht të rënduar, ai është dërguar në spital për një konsultë me mjekët, të cilët kanë konfirmuar se Arapaj është i aftë mendërisht. Nuk ka rezultuar të ketë probleme dhe sipas mjekëve, gjendja e tij e rënduar, lidhet me tronditjen e tij emocionale pas ngjarjes.

NGJARJA

Nëna e një vajze 3 vjeçe u qëllua për vdekje nga bashkëshorti gardist, pas dyshimeve për tradhti mëngjesin e së martës, në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00, në rrugën “Vangjel Capo”, në zonën e Alliasit. Autori i dyshuar i krimit, Alket Arapaj, 44 vjeç, kolonel në Gardën e Republikës, teksa bëhej gati për t’u paraqitur në shërbim, ka debatuar me të shoqen Ervilma Seferaj. Në debat e sipër e ka qëlluar atë tri herë me armën e shërbimit. Menjëherë pas ngjarjes, ai i ka telefonuar sallës operative të Policisë së Tiranës.

“Kam vrarë gruan, hajdeni më arrestoni”. Kjo ka qenë telefonata që ka vënë në lëvizje fillimisht shërbimet e Komisariatit nr.4, që kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Më pas, aty kanë mbërritur edhe oficerët e Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë, që kanë nisur veprimet hetimore. Ndërsa autori është prangosur nga oficerët e SHÇBA duke u transportuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Burimet thanë se në apartamentin e çiftit është gjetur edhe arma e krimit, pistoleta e shërbimit të gardistit që ekzekutoi bashkëshorten. Pasi ka pranuar autorësinë e krimit, duke lajmëruar vetë Policinë për ngjarjen, Alket Arapaj ka treguar edhe motivet e vrasjes së bashkëshortes.

Viktima filloi punë me të motrën në rrobaqepësi

Autori i krimit në familje, Alket Arapaj, dhe viktima Ervilma Seferaj kishin më shumë se 10 vite të martuar. Të dy me arsim të lartë, Arapaj ushtarak, ndërsa e shoqja ishte diplomuar për Histori-Gjeografi. Ata ishin prindër të një vajze 3-vjeçare, të cilën viktima e kishte lindur me shumë vështirësi dhe pas një trajtimi të vazhdueshëm mjekësor.

Fqinjët thonë se autori i ngjarjes ishte shumë i lidhur me të bijën. Së fundmi, viktima kishte filluar punë në një rrobaqepësi me të motrën dhe dyshohet se që pas këtij momenti kanë nisur debatet mes saj dhe bashkëshortit, pasi ai kishte dyshime se ajo takohej me persona të tjerë gjatë kohës që ai ishte në punë./panorama

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat