Krimet e Rënda nuk çelin dot gjyqin ndaj Suel Çelës, kërkohet ndihma e Interpolit

Shqipëria

Krimet e Rënda nuk çelin dot gjyqin ndaj Suel Çelës, kërkohet ndihma e Interpolit

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 17:42
Suel Çela

Gjykata e Krimeve të Rënda e ka të pamundur të çelë procesin gjyqësor ndaj Suel Celës dhe dy të akuzuarëve të tjerë për sulmin ndaj policisë në hyrje të tregut Agroushqimor në Elbasan, për shkak se biznesmeni i shumëkërkuar nuk ka marrë njoftim.

Në këto kushte, trupa gjykuese urdhëroi kryerjen e kërkimeve të thelluara për të pandehurin, ndaj të cilit rëndon akuza e “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim. Në seancën e së enjtes, gjykata deklaroi se do të kërkojë ndihmën e Interpolit për kërkimet, kjo për faktin se Petrit Çela, babai i të pandehurit ka deklaruar se i biri është larguar jashtë vendit.

Në proces, mungonin gjithashtu edhe dy oficerët e policisë, të cilët janë të dëmtuar nga vepra penale. Suel Çela akuzohet nga prokuroria si personi, i cili me makinën e tij tip Audi goditi në shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, makinën e policisë, duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut Gjergj Oshafi dhe disa oficerëve të tjerë. Nën akuzë për këtë ngjarje, janë vënë edhe dy miqtë e tij, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat