Ulën dënimin për Dajtin, zhduken gjyqtarët Aliaj dhe Nikolli

Shqipëria

Ulën dënimin për Dajtin, zhduken gjyqtarët Aliaj dhe Nikolli

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 09:30
Policia

Me urdhër të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Policia ushtroi dje kontrolle edhe në banesat e dy gjyqtarëve Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj.

Kujtojmë se, së bashku me gjyqtarin Skënder Damini, ata firmosën pranimin e kërkesës së Dritan Dajtit, për gjykim të shkurtuar, gjë që i “dhuroi” atij ulje të dënimit të përjetshëm në 25 vite burg.

Ndërkohë, për gjyqtarin Aliaj dyshohet se është larguar jashtë vendit, kjo sipas dëshmive të familjarëve të tij, të cilët kanë thënë se është larguar në drejtim të Greqisë. Kështu, Policia nuk ka arritur ta gjejë gjyqtarin, por ka ushtruar kontrolle në banesën e tij, edhe pse nuk bëhen me dije rezultatet e këtyre kontrolleve.

Grupi operacional special, me urdhër të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila dy ditë më parë pranoi kërkesën e organit të akuzës, do të bënte kontrolle edhe në zyrat e gjyqtarëve, gjë që nuk u arrit të bëhej.

Së pari, sepse zyrat në ambientet e Gjykatës së Apelit kanë qenë të mbyllura dhe së dyti, siç e parashikon ligji, kontrollet duhet të ushtrohen në praninë e personit që është vënë nën hetim apo mbrojtësit të tij ligjor. Në këto kushte, në zyrat pranë Gjykatës së Apelit në Vlorë nuk është bërë i mundur kontrolli.

Pjesë e banesave ku u ushtrua kontroll, është edhe ajo e gjyqtarit të Apelit të Shkodrës, Aleks Nikolli, në qytetin e Lezhës. Mësohet se oficerë të Policisë Gjyqësore dhe punonjës të Policisë kanë mbërritur në orët e para të ditës në banesën e Nikollit, ku për rreth 2 orë kryen kontrolle, ndërsa pas kësaj në mesditë ata janë rikthyer sërish.

Zyrtarisht, Policia nuk bëri të ditur nëse janë gjetur materiale komprometuese për gjyqtarin, por burime thonë se nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme. Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve të nisura nga Krimet e Rënda për 3 gjyqtarët, të cilët dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat