Voa raporton demonstratën: Tiranë, nis me tensione protesta e opozitës

Shqipëria

Voa raporton demonstratën: Tiranë, nis me tensione protesta e opozitës

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 12:44
Protesta

Në Tiranë ka nisur protesta e thirrur nga opozita për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Mijëra qytetarë nga pjesë të ndryshme nga vendi janë grumbulluar në sheshin përpara godinës së qeverisë.. Minutat e para kanë nisur me tensione, ndërsa drejt kryeministrisë janë hedhur shishe molotov. Manifestuesit kanë çarë kordonin e policisë dhe janë grumbulluar të shumtë në hyrje të saj. Ndërsa është tentuar të hapin dyer e hyrjes kryesore, ata janë sprapsur ndërsa nga brenda forcat e sigurisë kanë përdorur pmpat e ujit apo dhe gaz lotsjellës. Disa nga manifestuesit janë ndjerë keq nga gazilotsjellës dhe në ndihmë të tyre kanë ardhur ambulancat.

Kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi policinë se ajo me qëllim ka hapur radhët e punonjësve të saj që gjendeshin përballë godinës “sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit. Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme”, është shprehur zoti Basha.

Presidenti Ilir Meta, reagoi duke bërë “thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve dhe dhunës. Qytetarët duhet të protestojnë të lirë dhe duhet të respektohen institucionet”. Pasi u shpërndanë nga përdorimi i gazit lotsjellës, manifestuesit janë grumbulluar sërish përpara hyrjes së godinës së qeverisë. /Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat