Lënia e mandateve/ Duka mbështet Bashën, kanë shteruar mjetet politike …

Shqipëria

Lënia e mandateve/ Duka mbështet Bashën, kanë shteruar mjetet politike …

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 19:02
Agron Duka

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka mbështetur vendimin e liderit të opozitës Basha për lënien e mandateve.

Në një reagim në rrjetet sociale Duka është shprehur i gatshëm për dorëzimin e 3 mandateve të deputetëve të partisë së tij.

Ai thekson se “ky akt politik i Opozitës shënon fillimin e një faze të re, në të cilën, të gjithë bashkë, duhet të gjejmë forcën për të sjellë një ndryshim real, jo vetëm për t’i dhënë fund tjetërsimit të zgjedhjeve, por për të hedhur themelet e një sistemi zgjedhor të drejtë, demokratik dhe përfaqësues.”.

Reagimi i plotë

Që zgjedhjet e 25 qershorit 2017-të kanë qenë një nga momentet më të turpshme të pluralizmit politik, tashmë është një fakt i mbështetur nga përgjimet e Prokurorisë dhe publikimet e “Zërit të Amerikës”. Sigurisht do të kisha dashur që përpara se të arrinim tek ky vendim drastik, pra djegia e mandateve, Opozita të arrinte, nëpërmjet rrugës institucionale, të konkretizonte ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore, për të pasur realisht mundësinë e zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Megjithatë, nëse Opozita parlamentare gjykon se kanë shteruar të gjitha rrugët politike dhe vendos të djegë mandatet, ne do të respektojmë vullnetin e saj. Edhe pse tre mandate në listat e Partisë Demokratike i përkasin kandidatëve të Partisë Agrare Ambientaliste, ne do t’i dorëzojmë ato, pasi nuk mund të jemi pjesë e një Parlamenti ilegjitim. Ky akt politik i Opozitës shënon fillimin e një faze të re, në të cilën, të gjithë bashkë, duhet të gjejmë forcën për të sjellë një ndryshim real, jo vetëm për t’i dhënë fund tjetërsimit të zgjedhjeve, por për të hedhur themelet e një sistemi zgjedhor të drejtë, demokratik dhe përfaqësues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat