Forcimi i lekut, Banka e Shqipërisë: Tregu valutor normal

Shqipëria

Forcimi i lekut, Banka e Shqipërisë: Tregu valutor normal

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 09:48
Foto

Banka e Shqipërisë vlerëson se forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros në 2018-n erdhi për shkak të faktorëve ekonomikë.

Në analizën që Banka e Shqipërisë i bën kursit të këmbimit vlerëson se faktorët ekonomikë që ndikuan në forcimin e lekut janë prurja e valutës nga investimet e huaja, remitancat dhe rritja e eksporteve shqiptare.

“Në optikën afatmesme e afatgjatë, forcimi i kursit të këmbimit është në përputhje me teorinë ekonomike dhe faktorët makroekonomikë. Kështu, trendi forcues i kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjen e interesit për të investuar në instrumente kursimi në lekë në tregun e brendshëm financiar. Përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë ilustrohet nga: ngushtimi i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, kryesisht në reflektim të zgjerimit të shpejtë të eksporteve shqiptare; hyrja e lartë e valutës në vend, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, por edhe në formën e remitancave”, thuhet në raport.

Banka e Shqipërisë vlerëson gjithashtu si faktorë sezonalë të tregut të brendshëm valutor disbursimin dhe konvertimin e një kredie të madhe të BERZH-it, si dhe krijimin e pritjeve për forcimin e mëtejshëm të lekut. Këto pritje u shoqëruan me ndryshimin e sjelljes së operatorëve ekonomikë, duke sjellë një zhbalancim të lartë, por të përkohshëm të kërkesës dhe ofertës për valutë.

“Në vlerësimin tonë, forcimi i kursit pasqyroi zhvillime specifike të tregut të brendshëm valutor, të lidhura me konvertimin e kapitalit në disa banka të sistemit, me disbursimin dhe konvertimin e një kredie të madhe të BERZH-it, si dhe me krijimin e pritjeve për forcimin e mëtejshëm të lekut. Këto pritje u shoqëruan me ndryshimin e sjelljes së operatorëve ekonomikë, duke sjellë një zhbalancim të lartë, por të përkohshëm, të kërkesës dhe ofertës për valutë. Faktorët e mësipërm sollën një forcim të shpejtë të kursit të këmbimit gjatë vitit 2018 dhe shmangien e tij nga nivelet e sugjeruara nga faktorët makroekonomikë”, shprehet Banka e Shqipërisë në analizën për kursin e këmbimit.

Masat për euron

Vijimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit me ritme të përshpejtuara do të rrezikonte arritjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm, ndaj dhe Banka e Shqipërisë në muajin qershor bëri ndërhyrje të jashtëzakonshme, por të përkohshme, në tregun e brendshëm valutor. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ndërhyrje arriti të stabilizojë ecurinë e kursit të këmbimit dhe të krijojë premisat për funksionimin normal të këtij tregu. Po ashtu vlerësimet e Bankës së Shqipërisë shprehin se rreziqet e kursit mbi objektivin e inflacionit kanë ardhur në reduktim.

“Në nivel mesatar, efekti i kursit të këmbimit vlerësohet të ketë shmangur inflacionin nga objektivi përafërsisht me 0,2 për qind, por ky efekt ka pasur një tendencë rritëse gjatë tremujorëve të vitit, në përputhje me kohëvonesat e kanaleve të transmetimit të politikës monetare. Efekti i përmirësimit të gjendjes ciklike ka sjellë ndikim më të ulët në shmangien e inflacionit nga objektivi. Ndikimi frenues nga kursi real i këmbimit mbi inflacionin pritet të jetë i pranishëm edhe përgjatë tremujorëve të parë të vitit 2019, por efekti i tij në inflacion pritet të vijë në rënie pas tremujorit të dytë”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat