Aksidentet/ Ja si mund të ankohesh për vonesat në dëmshpërblimin nga sigurimet

Shqipëria

Aksidentet/ Ja si mund të ankohesh për vonesat në dëmshpërblimin nga sigurimet

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 08:30
Foto Ilustrim

Në rast se keni bërë një aksident dhe ndonëse nuk jeni fajtor, kompanitë e sigurimeve po ju sorrollasin për dëmshpërblimin, tashmë ka një mënyrë të thjeshtë për t’u ankuar.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) njofton se duke nisur nga data 18 shkurt 2019, ka filluar zbatimin e një regjistri të ri, si një platformë për depozitimin e ankesave të konsumatorëve. Platforma online e ankesave të qytetarëve krijon mundësinë për çdo konsumator dhe individ të depozitojë problematikën e tij për veprime dhe detyrime që lindin nga aktiviteti i operatorëve ekonomikë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare jobankare, nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Kjo Platformë është një mundësi e re për qytetarët, jo vetëm për të paraqitur shqetësimet e tyre, por edhe për të ndjekur më tej ecurinë hap pas hapi të problematikës së paraqitur, për të arritur deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, thotë AMF.

“Fillimi i kësaj Platforme të re është një mundësi më shumë që u ofrohet qytetarëve për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e tyre, duke realizuar kështu një nga misionet kryesore të punës së Autoritetit. AMF është e angazhuar dhe ka prioritet të punës së saj, mbrojtjen dhe edukimin e konsumatorit dhe investitorit”, thuhet në njoftim.

 

Si të ankoheni

Hapi i parë: Klikoni http://amf.gov.al dhe në menunë Mbrojtja e Konsumatorit zgjidhni nënmenunë Trajtimi i ankesave të konsumatorëve.

Zgjidhni opsionin Depozito Ankesë Online për të aksesuar modulin e depozitimit të ankesave online.

Hapi i dytë: Pasi keni klikuar opsionin e depozitimit të ankesave online do ju shfaqet moduli përkatës. Klikoni në njërën nga butonat e Depozito Ankesë për të vazhduar me depozitimin e ankesës suaj.

Hapi i tretë: Në secilin rast do të shfaqet formulari online ku ju mund të plotësoni detajet tuaja të ankesës. Të gjitha fushat me * duhen plotësuar, për të patur sa më shumë detaje për zgjidhjen e ankesës suaj.

Pasi të keni dërguar me sukses ankesën tuaj, ju do të merrni një email me konfirmimin e dorëzimit të ankesës suaj dhe një numër reference, e cila do të përdoret për të kontrolluar statusin e ankesës suaj në vazhdimësi.

Për të kontrolluar statusin e ankesës suaj veproni si më poshtë: Në modulin e depozitimit të ankesës online klikoni butonin Kontrollo Statusin. Në formën që do të hapet plotësoni sipas udhëzimeve adresën e email që keni vendosur gjatë plotësimit të ankesës, si dhe numrin e referencës që ju është dërguar me email.

Gjatë vitit të kaluar, shoqëritë e sigurimeve paguan dëme me një vlerë prej 3 miliardë e 342 milionë lekësh, nga 3 miliardë e 62 milionë lekë në vitin 2017. Por AMF ka konstatuar se kompanitë e sigurimit po rritin dëmet e papaguara ndaj qytetarëve. Sipas Autoritetit, nga viti 2014 deri në fund të 2017-ës borxhi u rrit me mbi 400 milionë lekë. Por kjo ka qenë një problematikë e nisur që në vitin 2002 dhe në total borxhi deri në 2013 i kalonte 3 miliardë lekët. Gradualisht është shlyer më shumë se gjysma e tij. “Detyrimi nga viti 2002 deri në vitin 2013 ka qenë pak më shumë se 3 miliardë lekë, ku shoqëritë kanë shlyer deri në fund të vitit 2017 rreth 1.8 miliardë lekë”, ka deklaruar Ervin Koçi, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i AMF.

Tregu i sigurimeve në vend dominohet fort nga sigurimi detyrueshëm me mbi 92 për qind, ndërsa vetëm 8 për qind është sigurimi vullnetar. Ndërkohë, brenda sigurimit të detyrueshëm, pjesën dërmuese e zë sigurimi i mjeteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat