Pas djegies së mandateve s’ka kthim pas? Klosi: Do të dalin disa të tjerë

Shqipëria

Pas djegies së mandateve s’ka kthim pas? Klosi: Do të dalin disa të tjerë

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 00:22
Blendi Klosi, Blendi Fevziu

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, të Blendi Fevziut, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se mazhoranca nuk priste që opozita të dorëzonte mandatet, pasi sipas tij, është një vendim pa logjikë.

Klosi u shpreh i shqetësuar për mënyrën sesi do të mund të rikthehet kjo opozitë në parlament. Por teksa gazetari Blendi Fevziu i kujtoi se ligjërisht nuk ka një mënyrë që ata të kthehen në parlament, atëherë Ministri u shpreh se opozita do të zëvendësohet. Ai mori shembullin e futbollistëve, si Pele e Maradona, për të cilët tha se pas largimit të tyre futbolli vijoi normalisht.

“Po i shihja të gjithë të qeshur, kur po dilnin nga parlamenti dhe dukej sikur sa kishin fituar zgjedhjet. Nëse e mendojnë se kanë arritur diçka që do t’i ndihmojë ata për të përfaqësuar më mirë veten e tyre… besoj këtë u kërkoi edhe Kryeministri, që jemi të gatshëm të bisedojmë, në kushtet e një vendimmarrje në vullnet të plotë të opozitës shqiptare, për të përfaqësuar më mirë popullin opozitar dhe në dëshirën për të treguar veten se po përfitojnë diçka. Po të na pyesni ne, a bëri mirë opozita shqiptare që iku nga parlamenti, në parim nuk ka asgjë të mirë në këtë situatë. Por po të pyesësh individualisht, që la mandatin Lulzim Basha, Sali Berisha etj, kjo pak rëndësi ka për PS dhe përfaqësuesit e saj, që ka një detyrë shumë të madhe sot, të qeverisin vendin”.

Ju qeverisni vendin zoti Klosi, por jemi i vetmi vend në botë për momentin, ku parlamenti është pa pothuajse asnjë përfaqësues të opozitës.

“Edhe legjislacioni nuk është i rregullt mbase për këtë rast, sepse nuk e mendon njeri që mund të lesh pozicionin dhe të ikësh kështu dhe të dorëzosh mandatin në grup pa menduar fare për atë çfarë njerëzit kanë dhënë votën”.

Ka qenë e papritur dhe për ju zoti Klosi?

“Ka qenë sepse nuk ka logjikë. Në momentin që nuk ka logjikë një gjë, padyshim është e papritur.”

“Kur kemi qenë në opozitë, edhe ne kemi bojkotuar parlamentin, kemi bërë demonstrata, kemi bërë protesta masive, kemi bërë edhe grevën e urisë. 20 ditë kemi ndenjur të shtrirë në bulevard dhe Sali Berisha të vetmin reagim që kishte, dilte ndonjëherë në mëngjes dhe na përshëndeste nga penxherja dhe as nuk pyeti fare për vuajtjet tona. Ndërkohë që ne e bëmë atë me një ideal, kishim ndjesinë tonë dhe mendoj se kemi bërë shumë mirë në rrugën që ndoqëm”.

“Ajo që më shqetëson mua si parlamentar, që kam një fare periudhe në parlamentin shqiptar, është si do të kthehen? Mirë që po ikin, por si do të kthehen?”

Jo s’ka më kthim zoti Klosi, s’ka si kthehen ligjërisht.

“Kjo është pyetja që më shqetëson për momentin më shumë se çdo gjë tjetër.”

“Nëse nuk ka kthim, atëherë do të dalin disa të tjerë, se e thashë e pak më herët sot në një bisedë tjetër, në momentin që iku Pele nga futbolli, nuk do të thotë që mbaroi futbolli…”

Pra ju prisni që të ketë një opozitë tjetër në parlament zoti Klosi, apo në rrugë?

“Është zgjedhja e tyre e lirë. Detyra jonë kryesore është të sigurojmë mbarëvajtjen e vendit, të vazhdojmë të qeverisim Shqipërinë, të përgatisim zgjedhjet e 30 Qershorit.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat