Akuzat e opozitës për blerjen e votave, OSBE-ODIHR rrëzon PD dhe LSI për zgjedhjet e 2017

Shqipëria

Akuzat e opozitës për blerjen e votave, OSBE-ODIHR rrëzon PD dhe LSI për zgjedhjet e 2017

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 08:23
OSBE

Raportet përfundimtare të OSBE-ODIHR mbi problematikat zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, për periudhën 2005-2017, hedhin poshtë pretendimin e opozitës shqiptare se zgjedhjet parlamentare të 2017 nuk përfaqësojnë vullnetin e lirë të qytetarëve dhe se janë produkt i kriminalizimit dhe shitblerjes së votës. Shqiptarja.com ka krahasuar përqindjen e problematikave të konstatuara në raportet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2005, 2009, 2013 dhe 2017.

Nga krahasimi, rezulton se zgjedhjet parlamentare të firuara dhe të organizuara nga Partia Demokratike janë më problematike në raport me zgjedhjet e 2017, të cilat u organizuan bashkërisht nga PD, PS dhe LSI, ku PD mori edhe drejtimin e Ministrisë së Brendshme, institucion kyç për zgjedhjet. Konkretisht, OSBE-ODIHR ka certifikuar si zgjedhjet më problematike dhe më të deformuara ato të vitit 2005, përmes të cilave Partia Demokratike erdhi në pushtet. Sipas raporteve të OSBE-ODIHR, në zgjedhjet e 2005 kishte 281 kërkesa ankimore kundër rezultatit të certifikuar nga KZZ, në zgjedhjet e 2009 kishte 34 ankimime, në zgjedhjet e 2013 janë shënuar 40 ankimime dhe në zgjedhjet e 2017 vetëm 3 ankimime, ku vetëm një ankimim rezultati është paraqitur nga PD, ndërsa nga LSI asnjë.

Numri në ulje i kontestimeve të rezultatit të zgjedhjeve nga 281 në 3, rrëzon pretendimet e PD-LSI për zgjedhjet e 2017. Po ashtu, sipas raporteve, 33 për qind e qendrave të votimit në zgjedhjet e 2005 rezultuan me probleme dhe shumë probleme, 8 qind e qendrave të votimit rezultuan me probleme në zgjedhjet e 2009, vetëm 6 për qind në zgjedhjet e 2013 dhe në 7 për qind e qendrave të votimit në zgjedhjet e 2017 procesi ishte me probleme dhe shumë probleme. Ndryshe nga sa pretendon PD-LSI, të cilat kanë bazuar djegien e mandateve mbi disa thashethemeve në telefon, OSBE-ODIHR konfirmon se problematikat në qendrat e votimit janë uluar në mënyrë drastike.

Blerja e votave

Në të katër raportet e OSBE-ODIHR flitet për fenomenin e blerjes së votave. Por, OSBE-ODIHR thekson se blerja e votave është provuar vetëm në zgjedhjet e vitit 2009 nga Partia Demokratike. Sipas raportit, gjatë zgjedhjeve të 2009, kur PD u rikonfirmua në pushtet, “në OSBE/ODIHR-it kanë ardhur gjithashtu aludime të shumta lidhur me blerjen e votave në komunitetet rome, disa prej të cilave u vërtetuan”.

Në asnjë raport tjetër, përfshirë edhe atë për zgjedhjet e 2005, OSBE/ODIHR nuk deklaron vërtetimin e blerjes së votave, por vetëm pretendime nga palët. Në raportin për zgjedhjet e 2005, thuhet se “popullsia e pakicave, sidomos ajo rome, vazhdoi të mënjanohej dhe ishte subjekt i kërcënimeve gjatë zgjedhjeve dhe përpjekjeve për “blerjen e votave””. Në raportin për zgjedhjet e 2013, thuhet se “Pretendimet për blerjen e votës, të bëra dhe nga dy partitë politike më të mëdha kundër njëra-tjetrës dhe kundër LSI-së, u intensifikuan në ditët para ditës së zgjedhjeve dhe cenuan klimën zgjedhore. Shumë prej pretendimeve për blerjen e votës fokusoheshin mbi grupet vulnerabël, veçanërisht në komunitetin rom dhe egjiptian, sidomos në zonat rurale”. Ndërkaq, në raportin për zgjedhjet parlamentare të 2017, theksohet se “akuzat e përhapura gjerësisht për blerjen e votave dhe presionin ndaj zgjedhësve, e ulën besimin e publikut në procesin zgjedhor. PD-ja edhe LSI-ja i përsëritën pretendimet e tyre pranë MVZ-së së OSBE/ODIHR-it se kishte ndodhur një operacion masiv, i përhapur gjerësisht, për blerjen e votës. Të dyja këto parti treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve”. Ndryshe nga zgjedhjet e 2009, kur OSBE-ODIHR thekon se është vërtetuar blerja e votave, në zgjedhjet e 2017, OSBE-ODIHR referon vetëm akuza për blerje votash.

Konkluzioni

Nga krahasimi, rezulton se zgjedhjet parlamentare të firuara dhe të organizuara nga Partia Demokratike janë më problematike në raport me zgjedhjet e 2017, të cilat u organizuan bashkërisht nga PD, PS dhe LSI.

Blerja e votave

OSBE-ODIHR thekson se blerja e votave është provuar vetëm në zgjedhjet e vitit 2009 nga Partia Demokratike. Sipas raportit, gjatë zgjedhjeve të 2019, kur PD u rikonfirmua në pushtet, u blenë votat e komunitetit rom.

Historia e bojkotit të PD

PD bojkoton parlamentin pas humbjes së zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991. Në Parlament mori pjesë vetëm Neritan Ceka, i cili lexoi një deklaratë.

Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 1997, PD bojkoton parlamentin.

Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 24 qershorit 2001, PD bojkoton parlamentin.

Pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, PD bojkoton Parlamentin, duke nisur që nga muaji shkurt i 2014.

Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017, Partia Demokratike bojkoton Parlamentin. PD nisi bojkotin në korrik të vitit 2018 dhe hyri në Kuvend për të shpëtuar mandatet në fund të vitit 2018.

Zgjedhjet e 2005, problematikat

-Zgjedhjet e 2005 u përputhën vetëm pjesërisht me angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare.

-281 kërkesa ankimore kundër rezultatit të certifikuar nga KZZ.

-Në të tri zonat u urdhërua përsëritja e zgjedhjeve.

-Vëzhguesit në rreth 10 % të zonave vunë në dyshim pavarësinë e KZZ-ve dhe disa prej tyre dukej se merrnin vendime më shumë mbi bazën e kritereve politike sesa atyre administrative.

-99 apelime kundër vendimeve të KQZ-së. Përveç dy apelimeve të pranuara, të tjerat u rrëzuan.

-33 % të QV me probleme apo shumë probleme.

-Në 29 për qind të rasteve të marrjes në dorëzim të materialeve zgjedhore u raportua një atmosfere e tensionuar dhe dy incidente të dhunshme.

-Në rreth një të katërtën e zonave zgjedhore vëzhguesit morën pretendime se shtetasit merrnin ose u ofroheshin dhurata ose para për të mbështetur një kandidat të caktuar.

-Në tërësi, vëzhguesit e vlerësuan pozitivisht votimin në 67 për qind të QV-ve të vizituara dhe vërejtën probleme domethënëse në 11 për qind të QV-ve të vizituara. Ndonëse u raportua një atmosferë e tensionuar në 11 për qind të QV-ve të vizituara.

-Vëzhguesit vërejtën se në pothuajse katër për qind të QV-ve, persona të paautorizuar ndërhynin në procesin e votimit.

-Në thuajse gjysmën e zonave zgjedhore, vëzhguesit u njohën me pretendime në lidhje me faktin se burimet administrative përdoreshin për qëllime fushate, apo se nëpunësit publikë po bënin fushatë për kandidatët.

-Vëzhguesit e MNVZ-së raportuan se në 51 për qind të QV-ve, disa zgjedhës ishin kthyer mbrapsht për shkak se emrat e tyre nuk ishin përfshirë në listën e zgjedhësve të QV-së.

-MVZ-ja mori pretendime, nga burime të ndryshme, për parregullsi të rënda zgjedhore, përfshirë blerjen e votës.

-Në 13 për qind të QV-ve të vizituara, fshehtësia e votës nuk u respektua mjaftueshëm. I ashtuquajturi “votim familjar” u vëzhgua në 10 për qind të QV-ve të vizituara.

-Shkeljet e fushatës, të tilla si shpërdorimi i burimeve administrative për qëllime fushate dhe blerja e votës, nuk duhen toleruar. Duhen marrë në konsideratë edhe masat për monitorimin e këtyre shkeljeve dhe vënien e shkelësve përpara përgjegjësisë.

-Procesi ishte sërish i tejzgjatur dhe, ndonjëherë, i pasigurt.

-Pavarësisht nga një fushatë përgjithësisht e qetë, pati disa incidente, përfshirë një incident vdekjeprurës me armë zjarri në ditën e zgjedhjeve.

-Qëndrimet e partive ndaj administratës zgjedhore dëmtuan objektivin kushtetues për proporcionalitet “në raport sa më të afërt” të sistemit zgjedhor, që mbetet i hapur ndaj abuzimit dhe duhet të reformohet në mënyrë përfshirëse.

-Vëzhguesit raportuan se, shpesh, anëtarët e KZZ-ve dhe KQV-ve dukej se u jepnin përparësi interesave partiake, në vend që të respektonin plotësisht ligjin.

-Në shumë raste, KQV-të nuk respektuan mjaftueshëm procedurat e duhura, veçanërisht për sa i përket përdorimit të bojës për parandalimin e votimit të shumëfishtë, fshehtësisë së votës dhe kontrollit të identitetit të zgjedhësve.

-Gjatë ecurisë së numërimit, vëzhguesit raportuan një numër parregullsish serioze në disa zona, përfshirë raste kur votat nuk u numëruan në mënyrë të ndershme.

-Popullsia e pakicave, sidomos ajo rome, vazhdoi të mënjanohej dhe ishte subjekt i kërcënimeve gjatë zgjedhjeve dhe përpjekjeve për “blerjen e votave”.

-Megjithëse dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, një numër i vogël incidentesh të dhunshme e njollosën procesin.

-Vëzhguesit raportuan disa parregullsi serioze, në veçanti në lidhje me listat shumemërore në zonat ku u vonua përfundimi i numërimit.

-Pavarësisht nga shumë aspekte pozitive të Kodit Zgjedhor, dy mangësitë bien në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

-43 rekomandime për adresimin e problematikave të konstatuara.

Zgjedhjet e 2009, problematikat

34 ankimime kundër rezultatit.

-8 % e QV me probleme apo shumë probleme

-33 % e vendeve të numërimit të votave me probleme apo shumë probleme

-Veprimet e partive politike (për bllokimin e numërimit) lëkundën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

-Këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike.

-Mosmarrëveshja më e madhe ishte me procesin e kartave të identitetit lindi pasi qeveria nuk dha shifra të sakta mbi ecurinë e procesit të aplikimeve të shtetasve pa pasaporta.

-U vërtetuan aludime për keqpërdorim të burimeve administrative nga ana e PD-së për qëllime fushate.

-Qeveria vazhdimisht përdori aktivitetet zyrtare, përfshirë inaugurimet e projekteve të infrastrukturës, për të bërë fushatë zgjedhore.

-Në MVZ-në e OSBE/ODIHR-it mbërritën një sërë aludimesh për trysni, disa prej të cilave u verifikuan, si p.sh mbi presionet për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së ose për t’u distancuar nga veprimtaritë e opozitës, shpesh të shoqëruara edhe me kërcënime për largim nga puna.

U vërtetuan aludime për keqpërdorim të burimeve administrative nga ana e PD-së për qëllime fushate.

-Në MVZ-në e OSBE/ODIHR-it kanë ardhur gjithashtu aludime të shumta lidhur me blerjen e votave në komunitetet rome, disa prej të cilave u vërtetuan.

-Procedura e markimit me bojë nuk ndiqej gjithmonë, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë një element sigurie të rëndësishëm kundër votimit të shumëfishtë.

-KQZ-ja shpesh nuk ndërhyri me vendosmërinë e duhur, kur u vunë re problemet apo kur u raportuan ato në VNV-të përkatëse.

-Numri i apeleve që u dorëzuan në KQZ (34 apelime) pas zgjedhjeve, ishte shumë më i ulët në krahasim me zgjedhjet e mëparshme

-Pesë vendime të KQZ-së mbi apelimet paszgjedhore u kundërshtuan në Kolegjin Zgjedhor. Në total, u depozituan 12 apelime kundër këtyre vendimeve.

-Vëzhgues të MNVZ-së vlerësuan procesin e votimit si të mirë ose shumë të mirë në 92 për qind të qendrave të votimit që u vizituan

-Në 9 për qind të qendrave të vizituara, nuk u garantua fshehtësia e votës.

-Votimi familjar, një shkelje e fshehtësisë së votës, u raportua nga 19 për qind e qendrave të votimit.

-31 rekomandime për adresimin e problematikave

Zgjedhjet e 2013, problematikat

40 ankimime për rezultatin.

6 % e QV me probleme apo shumë probleme

29 rekomandime.

Partitë më të mëdha, me raste, përdorën automjetet publike dhe ndërtesat zyrtare për qëllime fushate.

Pretendime të përhapura gjerësisht se punonjësve të sektorit publik u kërkohej nga shefat e tyre të merrnin pjesë në tubime zgjedhore ndikuan negativisht në klimën para-zgjedhore

Një sërë ngjarjesh të axhendës qeveritare, si hapja e rrugëve dhe uzinave, si dhe shkollat dhe spitalet e rinovuara u shoqëruan me fjalime dhe reklamimin e fushatës së partisë në pushtet. Pati mbulim të fushatës në faqen zyrtare të internetit të Kryeministrisë.

MVZ-ja e OSBE/ODHIR-it konstatoi raste specifike të shkollave që ishin të mbyllura gjatë tubimeve të zhvilluara gjatë orarit të mësimit, sepse mësuesit dhe nxënësit ishin të detyruar të merrnin pjesë.

Pretendimet për blerjen e votës, të bëra dhe nga dy partitë politike më të mëdha kundër njëra-tjetrës dhe kundër LSI-së, u intensifikuan në ditët para ditës së zgjedhjeve dhe cenuan klimën zgjedhore. Shumë prej pretendimeve për blerjen e votës fokusoheshin mbi grupet vulnerabël, veçanërisht në komunitetin rom dhe egjiptian, sidomos në zonat rurale.

Kuadri ligjor nuk garanton transparencë të mjaftueshme në lidhje me raportimin mbi financimin e fushatës, sepse nuk ka asnjë detyrim për deklarimin e tyre përpara ditës së zgjedhjeve.

Një numër i konsiderueshëm i qendrave të votimit u hapën me vonesë.

Raste të votimit familjar/në grup dhe zbatimi në mënyra të ndryshme i disa procedurave ndikuan negativisht në vlerësimin e përgjithshëm të votimit.

Numërimi u vonua në shumë VNV për shkak të çorganizimit, duke përfshirë edhe emërimin e vonuar të numëruesve dhe pengesat e krijuara nga disa numërues të propozuar nga partia në pushtet (PD)

Në 94 për qind të rasteve të vëzhgimit votimi ishte i rregullt dhe i mirëorganizuar, por vëzhguesit e vlerësuan atë negativisht në 6 për qind të rasteve të vëzhgimit, kryesisht për shkak të ndërhyrjes së panevojshme në proces dhe disa parregullsive procedurale.

Votimi në emër të personave të tjerë u vëzhgua në 5 për qind të QV-ve.

Mbyllja e qendrave të votimit dhe dërgimi i materialeve u vëzhgua në 93 raste dhe u vlerësua si mirë ose shumë mirë në 84 raste, dhe si keq apo shumë keq në 9 raste.

Vëzhguesit ndërkombëtarë e vlerësuan pozitivisht numërimin në 92 për qind të rasteve dhe negativisht në 8 për qind të vëzhgimeve, duke treguar disa probleme.

Zgjedhjet e 2017, problematikat

-Vetëm 3 ankimime (PD për një mandat në Berat, dy ankimime të PS dhe PDIU për një mandat në Tiranë, 70 komisionerë të kallëzuar).

-7 % e QV me probleme dhe shumë probleme.

-7 e vendeve të numërimit të votave me probleme dhe shumë probleme.

-23 rekomandime.

-Garuesit zgjedhorë ishin në gjendje të bënin lirshëm fushatë dhe liritë themelore u respektuan.

-Dita e zgjedhjeve u zhvillua në një mjedis me aludime për blerje vote dhe incidente të lidhura me fushatën në qendra votimi dhe presione të pretenduara ndaj zgjedhësve, të cilat u raportuan dhe u amplifikuan nga media.

-Politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e përhapura gjerësisht për blerjen e votave dhe presionin ndaj zgjedhësve, e ulën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

-PD-ja edhe LSI-ja treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve.

-Marrëveshja i dha mundësinë PD-së për të bërë emërime në disa poste kyçe ministrore, përfshirë një Zëvendëskryeministër dhe drejtues të institucioneve të tjera, si dhe mundësoi ndryshimin e datës së zgjedhjeve nga 18 në 25 qershor.

-Ndonëse marrëveshja kontribuoi në një proces zgjedhor më përfshirës dhe një fushatë më pak të polarizuar, zbatimi i saj shpesh vuri në rrezik parimet themelore të shtetit të së drejtës.

-KQZ-ja nuk mori masa për të sqaruar mospërputhjet që solli legjislacioni i sapondryshuar dhe disa prej vendimeve të saj u mungoi baza ligjore.

Legjislacioni i ndryshuar kontribuoi në transparencën dhe llogaridhënien për financimin e fushatës, duke trajtuar pjesërisht disa rekomandime të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe të Këshillit të Evropës.

-PD-ja nisi bojkotin ndaj Kuvendit më 7 shkurt, duke pretenduar se qeveria e drejtuar nga PS-ja po përgatiste një mashtrim zgjedhor në shkallë të gjerë dhe se, në kushtet aktuale, nuk mund të zhvilloheshin zgjedhje të besueshme.

-Pas ndërmjetësimit intensiv nga ndërkombëtarët, ngërçi mori fund në 18 maj me arritjen e një marrëveshjeje politike mes kryetarëve të PD-së dhe PS-së.

-Pas marrëveshjes politike të 18 majit, në 22 maj u miratuan ndryshime në Ligjin për Partitë Politike, Ligjin për Median Audio-vizive dhe Kodin Penal. Këto ndryshime sollën rregullime të reja mbi fushatën, financimin e fushatës, transmetimin e reklamave politike nga mediat audio-vizive, si dhe parashikuan vepra të reja penale në fushën e zgjedhjeve dhe rritën sanksionet për ato ekzistuese.

-Megjithatë, marrëveshjes politike të 18 majit iu dha fuqia e ligjit në dëm të sundimit të ligjit. Të gjitha ndryshimet u votuan brenda një dite, në kundërshtim me procedurën ligjore të parashikuar në Kushtetutë.

-Paraqitën rreth 600 kërkesa për përfshirje në listë, kryesisht nga të burgosur, dhe rreth gjysma e kërkesave u pranuan.

-Para ditës së zgjedhjeve, një numër bashkëbiseduesish të MVZ-së së OSBE/ODIHR-it theksuan rolin e individëve që pretendohet se kanë lidhje me krimin e organizuar në procesin zgjedhor.

-Disa bashkëbisedues të MVZ-së së OSBE/ODIHR-it shprehën shqetësim se individë me të shkuar kriminale ende luanin rol domethënës në fushatë, si kandidatë ose si mbështetës.

-MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it vëzhgoi gjithashtu një miting të LSI-së në Kukës ku morën pjesë punonjës të sektorit publik gjatë orarit të punës.

-Pas marrëveshjes politike të 18 majit, qeveria ngriti një Task Forcë ministrore për të bashkërenduar veprimet qeveritare për të shmangur dhe, nëse do të ishte e nevojshme, për të ndëshkuar sjelljen e papërshtatshme të organeve administrative në procesin zgjedhor.

-Në 5 për qind të vëzhgimeve, MNVZ-ja vuri re individë që përpiqeshin të ndikonin zgjedhësit për të votuar për një parti të caktuar brenda qendrës së votimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat