Rama: Gati për dialog, por jo për zgjedhje të reja - Bota Sot
Rama: Gati për dialog, por jo për zgjedhje të reja

Shqipëria

Rama: Gati për dialog, por jo për zgjedhje të reja

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 12:58
Kryeministri Edi Rama

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama, tha mbrëmjen e së enjtes se shumica ka qenë dhe është e gatshme për dialog me opozitën, por jo për të diskutuar për zgjedhje të reja “përmes një kamikazërie politike mbi mexhlisin e jetës parlamentare”.

Në një fjalim të gjatë, ditën kur opozita zyrtarizoi vendimin e saj për lënien e mandateve, dhe ju drejtua shesheve për protestën e radhës duke kërkuar largimin e tij dhe krijimin e një qeveria tranzicioni, kryeministri hodhi poshtë në mënyrë te prerë një mundësi të tillë, e cila do e bënte vendin, siç u shpreh ai, “një territor të paqeverisshëm kurrë më, nëse futet rregulli i ri i padëgjuar askund në botë, i palexuar kurrë në libra, se kur një opozitë arratiset nga parlamenti, shumica duhet të ndërpresë mandatin e saj e të shkojë në zgjedhje me qeverinë që i pëlqen opozitës”.

I vetdijshëm për pasojat që situata e krijuar do të ketë mbi jetën politike, zoti Rama pranoi se “Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare kjo e sotmja, s'ka dyshim. Është e dëmshme sa të duash për produktivitetin e jetës tonë politike, kjo zgjedhje destruktive e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e popullit. Është fatkeqësia e përsëritur e këtij vendi që goditet nga bij ndër të vetët, kur ka përpara një mundësi reale për t'u ngjitur më lart. Kjo është një goditje që mund edhe të rezultojë fatale për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vit” u shpreh ai, duke shtuar se “pamjet e turpshme të së shtunës, të cilat bënë xhiron e botës, mund të kenë pasoja jo të vogla mbi sezonin e ardhshëm turistik; pra, mbi ekonominë e punësimin e shqiptarëve dhe investimet e reja në turizëm e jo vetëm”.

Kryeministri premtoi se shumica do të vijojë përpara në rrugën e saj. “Ne mund të bëjmë fare pak ose aspak për ta shmangur vetëvrasjen politike të heqjes dorë nga përfaqësimi i zgjedhësve në parlament. Zgjedhësit do ta japin gjykimin kur të vijë radha e tyre, për të folur me votë, qoftë në qershor të këtij viti, qoftë në qershor të viti 2021”, theksoi zoti Rama, duke rikonfirmuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga trysnia e opozitës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...