Pas takimit me PPE, Basha tregon kalendarin e protestave

Shqipëria

Pas takimit me PPE, Basha tregon kalendarin e protestave

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 08:59
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike i kërkon anëtarësisë së PD-së të mobilizohet dhe të jetë e përgatitur, pasi vendi shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Një kërkesë të tillë, kreu i PD-së ua komunikoi anëtarëve të Kryesisë së PDsë pak orë pasi kishte ardhur nga Vjena, ku u takua me përfaqësues të Partive Popullore Europiane. Gjatë këtij takimi, Basha denoncoi situatën shqetësuese në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, trafikun e drogës dhe vjedhjen e zgjedhjeve nga persona me të kaluar kriminale.

Në mbledhjen e Kryesisë, Basha ishte i qartë me demokratët kur artikuloi frazën “zgjedhjet janë prapa dere”. Për këtë arsye, kryedemokrati kërkoi nga demokratët një ndërthurje mes aksionit qytetar dhe protestave që do të zhvillohen në të gjithë vendin dhe prezantimit të alternativës që PD-ja do të japë për qytetarët shqiptarë.
“Duhet që të bëjmë një ndërthurje mes aksionit qytetar përmes protestave dhe prezantimit të alternativës sonë për qytetarët. Për secilin nga sektorët kyç do të ketë një grup pune, si në PD ashtu edhe në bazë, ku në mënyrë të organizuar do të kemi një komunikim intensiv me qytetarët. Do të kemi grup pune për shëndetësinë, arsimin, investimet publike ku përmes alternativës sonë, të bëjmë diferencën me gjithçka të dëmshme që kjo qeveri u ka ofruar shqiptarëve. Ky aksion ka nisur me djegien e mandateve tona dhe do të vijojë me të njëjtin intensitet edhe në ditët në vijim. Askush nuk duhet të harxhojë asnjë një minutë, pasi mund të jemi me zgjedhje mbrapa dere”, mësohet të ketë deklaruar në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë Basha.

AKSIONI

Pas dy protestave të mëdha të zhvilluara në Tiranë, PD-ja dhe aleatët e saj do të organizojnë dhe mbështesin protesta në të gjithë vendin. Basha pas mbledhjes së Kryesisë foli për një kalendar protestash, që do të mundësojnë largimin e Ramës. “Pas djegies së mandateve dhe deklarimit ilegjitim të Kuvendit të Shqipërisë dhe produktit të tij kriminal, bandës hajdutokriminale të Edi Ramës.
Në këtë kuadër, vendimi i parë i Kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash popullore, të shtrira në të gjithë vendin dhe, natyrisht, protestave kombëtare në Tiranë, për të cilat, në ditët në vijim, Kolegji i Kryetarëve dhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të marrin vendimet përkatëse të organizimit, të kalendarit, të datave, të mobilizimit mbarëqytetar për të vazhduar protestat mbarëpopullore për largimin e Maduros së Ballkanit”, deklaroi kreu i PD-së. Partia Demokratike nuk do të veprojë e vetme, por përmes shtabeve politike do të bashkëpunojë në nivel qendror e lokal me partitë e tjera opozitare. PD-ja do të përgatitet për përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhjet vendore, të cilat sipas Bashës mund të jenë në të njëjtën kohë me ato parlamentare.

“Është marrë një vendim i rëndësishëm për ngritjen e shtabeve politike dhe organizative, në nivel qendror dhe lokal, të cilat, në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së bashkuar, do të bëjnë të mundur përparimin me këtë kalendar pune dhe organizimin e protestave të fuqishme mbarëpopullore në të gjithë territorin e vendit. Janë marrë edhe vendime të tjera që kanë të bëjnë me fuqizimin e organizimit të Partisë Demokratike, në funksion edhe të synimit tonë, zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe paraqitjes me kandidaturat më të denja të PD-së në këto zgjedhje, natyrisht edhe në zgjedhjet e tjera vendore”, deklaroi kreu i PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat