Shahini: Biblioteka elektronike drejt finalizimit, thirrje e dytë punësimi për studentët ekselentë brenda vitit

Shqipëria

Shahini: Biblioteka elektronike drejt finalizimit, thirrje e dytë punësimi për studentët ekselentë brenda vitit

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 11:50
Besa Shahini

Studentët dhe pedagogët tashmë do te kenë mundësi të shfletojnë online artikuj shkencorë, mbi 170 libra akademikë. Biblioteka elektronike është në fazën e finalizimit  falë kontratës së përmbyllur me një ofertues të Biblotekës elektronike.

Lajmi u dha nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë intervistës në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Ministrja sqaroi edhe mënyrën sesi do të funksionojë Biblioteka Elektronike ndërsa theksoi se për 3 vite të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

“Për bibliotekën elektronike kemi një lajm shumë të mirë. Kemi arritur ta negociojmë kontratën me një ofertues të Biblotekës Elektronike. Mënyra sesi funksion është kjo: ka me miliona artikuj shkencorë, 170 mijë libra akademikë dhe janë 30 pako për mësimin e gjuhës së huaj që vihen në dispozicion pa pagesë të të gjithë studentëve dhe pedagogëve në të gjjitha institucionet e Arsimit të Lartë Publik për tre vite. Pra, ne i mbulojmë shpenzimet për tre vite me idenë që nga kjo periudhë tre-vjeçare do të shohim cilët janë artikujt që klikohen më shumë, cilët janë artikujt që ka më shumë interes, cilët janë revistat të cilët studentët kanë më së shumti nevojë ti konsultojnë gjatë shkrimit të kërkimit të ndryshme shkencore që i bëjnë ata dhe me pas të shohim që kur të negociojmë kontratën për 3 vjeçarin tjetër të shtojmë apo të heqim diçka nga kjo që kemi dhe të shohim mundësinë që universitete të përfshihen në pagesën e kësaj, nëse egziston kjo mundësi. Por, për momentin nga 2019 deri në fund të 2021 do të jenë në dispozicion pa pagesë të gjitha këto burime, në mënyrë që kërkimi shkencor të shkojë një hap përpara të Universiteteve Publike në Shqipëri”, tha ministrja Shahini.

Duke prekur çështjen protestës së studentëve në dhjetor, Shahini e konsideroi një moment të mirë për të adresuar problematika të trashëguara nga e kaluara. Ministrja prej javësh ka nisur një tur takimesh në të gjitha universitetet me studentë dhe pedagogë, ku të gjitha problematikat e tyre janë duke u shënuar në draftin që përmbyllet në muajin mars, i konsideruar ndryshe nga ana e saj si kontratë sociale.

“Ajo që më bën më së shumti përshtypje është që përderisa drejtuesit e univeristeteve kryesisht identifikojnë probleme infrastrukturore që i kanë në kampuset e tyre, studentët kryesisht edhe pse i përmendin edhe këto, identifikojnë probleme që kanë të bëjnë më cilësinë: përgjegjësia e pedagogëve, ardhja në kohë, mënyrat sesi ato i kanë fituar doktoraturat, dokumentacioni me të cilat i kanë fituar doktoraturat, tekstet shkollore që përdoren për studimet e studentëve, sa cilësi ka vërtet diploma/programi që kanë studiuar, sa është e vlefshme si rezultat”, tha ministrja.

Gjatë intervistës në studion e ATSH-së, ministrja Shahini theksoi se në portalin U-transparenca apo transparenca e universiteteve, do të botohen të gjitha vendimet e senateve, mundësitë për bursa, të gjitha proceset e prokurorimit që studentët të jenë në dijeni se ku po shkojnë investimet. Por, çfarë do të ndodhë në rast se një universitet refuzon të bëjë publik raportin financiar për çdo muaj?

“Ky është ai momenti kur ne kemi nevojë për studentët përsëri sepse me kurajon që kanë treguar në dhjetor që të ngrinin të gjitha këto çështje që ata i shohin të rëndësishme duke protestuar në rrugë, ta bëjnë këtë gjë duke iu kërkuar llogari edhe drejtuesve të universiteteve. Një pjesë e madhe e punës duhet të kryhet nga vetë universitetet, ne jemi këtu për t’i lehtësuar. Kemi marrë përsipër shumë më shumë sesa në parim një qeveri duhet të merrte përsipër për të adresuar çështje që kanë të bëjnë më universitetin. Ky është ai momenti kur studenti duhet të na mbajë  edhe ne në alert por edhe udhëheqësit e universitetit që të përgjigjen të gjitha atyre kërkesave që ata i kanë pasur dhe t’i përgjigjen kësaj kontrate sociale që kemi ndërtuar bashkë me universitetet, bashkë me qeverinë, bashkë me studentët në plotësimin e kërkesave të studentëve”, theksoi Shahini.

Për platformën “Punë të mbarë”, ministrja tha se do të hapet një thirrje tjetër aplikimesh brenda vitit 2019.

“Propozimi ynë është që të gjitha vendet e lira që janë në administratë t’u vihen në dispozicion studentëve ekselentë, që të kenë mundësinë të bëjnë një vit eksperiencë pune brenda administratës shtetërore. Janë 840 vende të lira pune të hapura. Kanë aplikuar diku 900 studentë. Ata do të punësohen së shpejti. Përveç kësaj praktikat e punës është një program që ka ekzistuar gjithmonë dhe sivjet janë rreth 2 mijë vende të lira për praktikë pune. Vendet e lira të punës do të jenë edhe në vazhdim dhe vendet e lira në administratën publike do të jenë në dispozicion të studentëve ekselentë për ta pasur këtë eksperiencë në vijimësi, për t’u punësuar në një afat më të gjatë më vonë.  Para se të përsëritet vitin tjetër, ne do të hapim edhe një thirrje tjetër për këtë vit për vende të lira të punës që hapen gjatë vitit sepse kemi gjithmonë lëvizje të njerëzve që dalin nga administrata publike dhe në momentin që mblidhet një grup i mirë, i konsiderueshëm i vendeve të lira të punës do të hapet edhe një thirrje gjatë 2019”, theksoi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

Për verifikimin e titujve shkencorë, ajo sqaroi se hapi i parë do të jetë digjitalizimi i të gjithë doktoraturave, për t’u verifikuar më pas nga AKSHI për të bërë krahasimin e ngjashmërive të teksteve të shkruara, të një kërkuesi shkencor dhe teksteve që ekzistojnë. Ngjashmëritë do të shkojnë si një raport tek  universitet dhe komisionet e Etikës për të bërë vlerësimet. Sipas saj, ky propozim i ministrisë së Arsimit refuzohet nga disa pedagogë.

“Tani, disa pedagogë janë ankuar, disa drejtues universitetesh janë ankuar dhe kanë thënë që kjo nuk mund të bëhet e centralizuar nga ministria e Arsimit. Ne jemi në rregull që ta bëjnë Universitetet. Në fakt, universitetet e kanë për detyre dhe të gjitha raportet e akreditimit të Universiteteve, ia lënë këtë detyrë universiteteve. Dhe nëse vetë universitetet arrijnë që të kenë një plan pune për të adresuar plagjiaturën brenda universiteteve të tyre, ne thjesht do të lehtësojmë këtë proces dhe do u mundësojmë gjithçka që kanë nevojë që ta kryejnë një proces sa më të mirë dhe në mënyrë sa më transparente. Por, ajo që nuk mund të bëhet është që të tërhiqemi nga kjo sepse ka qenë kërkesë specifike e studentëve dhe ne jemi zotuar që do të bëjmë diçka në këtë drejtim”,  përfundoi ministrja e Arsimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat