Rama për Rainews: Të hapur për dialog me opozitën

Shqipëria

Rama për Rainews: Të hapur për dialog me opozitën

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 15:03
Edi Rama

Ne kemi mazhorancën, jemi përpara në të gjitha sondazhet në mënyrë shembullore. Nuk mund të merret peng një komunitet dhe të thuash unë do bëj kamikazin nëse nuk më jepni atë që unë dua. Jemi gjithnjë gati të dialogojmë, të dëgjojmë por sigurisht që duhet edhe të qeverisim. Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në intervistën e dhënë për televizionin italian RaiNews, ku flet për protestën e opozitës, djegien e mandateve parlamentare nga ana e saj dhe ecurinë e qeverisjes pas këtyre lëvizjeve.

Sipas kryeministrit Rama, 3-4 orë të protestës së 16 shkurtit rrënuan 3-4 vite në aspektin e imazhit të vendit në sytë e komunitetit ndërkombëtar.

Intervista e plotë e Kryeministrit Edi Rama për televizionin RaiNews.

Komuniteti ndërkombëtar deri në këtë çast e ka kritikuar vendimin për dorëheqje të parlamentarëve të opozitës, duke u rreshtuar pjesërisht me qeverinë tuaj. Përse mendoni se ka ardhur kjo mbështetje nga ana e vendeve të tjera?

Mendoj se mbështetja është një mirëkuptim për Shqipërinë  dhe jo për qeverinë time, sepse ky është një pozicionim i papranueshëm, është një vendim që nuk e di nëse është bërë ndonjëherë në një demokraci parlamentare ku populli përfaqësohet nëpërmjet të zgjedhurve të tij dhe të zgjedhurit e tij duhet t’i përgjigjen vullnetit të popullit.

Opozita vazhdon të thotë se ka një problem serioz në lidhje me kultivimin e kanabisit dhe të trafikut narkotikëve në vend. Ju e keni përmendur shpesh herë, për shembull, që në rajonin e Lazaratit problemi gati është zgjidhur falë qeverisë tuaj, pra cila është situata dhe në ç’pikë është niveli i trafikut të drogës në këtë vend?

Vetëm pak kilometra larg nga këtu, kishte një republikë mosndëshkimi që mbështetej haptazi nga politika e qeverisë së tyre, ku kultivohej dhe trafikohej marijuana sikurse kishte edhe një heshtje mbi këtë fenomen në përgjithësi në të gjithë vendin. Ne e vumë në dritën e diellit,  por në fund nuk duhet të dëgjohen numrat e tyre, por “Guardia di Finanza” që konfirmoi se në 2017 gati nuk kishte më.

Në deklaratat e këtyre ditëve bëre një dallim të qartë mes protestave të studentëve të para disa muajve, dhjetorin e kaluar dhe të protestave të këtyre ditëve, të drejtuara nga opozita. Pra cila është diferenca?

Protesta e studentëve ishte një protestë e popullit. Kishin të gjitha arsyet dhe ne i dëgjuam. Ndërsa kjo tani nuk është një protestë e popullit. Kjo tani është një protestë e një establishmenti që u mund rëndë dhe që ka arsye për të protestuar, ngaqë nga njëra anë ata janë të dëshpëruar sepse nuk mund të fitojnë. Për pak muaj ka zgjedhje dhe nuk kanë shanse. Nga ana tjetër, ata janë mjaftueshëm të shqetësuar për atë reformën themelore në drejtësi që kemi ndërmarrë me Komisionin Europian dhe mbështetjen e SHBA-së, që po largon nga pallati i drejtësisë të gjithë krerët e mëdhenj të një sistemi që kishte garantuar mosndëshkueshmërinë për politikanët dhe për këta të fundit.

Mendoni se kontestimet e ditëve të fundit kanë dëmtuar në një farë mënyre imazhin e Shqipërisë në sytë e pjesës tjetër të botës dhe ndoshta e ka bërë më të vështirë rrugën drejt integrimit europian.

Kjo sigurisht që nuk është e mirë për imazhin por edhe për çështjet e vendit, sepse jemi në një periudhë me rritje ekonomike më të madhe se 4%. Ishin 3-4 orë që rrënuan 3-4 vite në aspektin e imazhit.

Ju shprehët qartësisht se nuk synoni të dorëhiqeni dhe se nuk do të ketë zgjedhje parlamentare këtë vit, në verë, sikurse u kërkua nga opozita dhe se synon të vazhdosh punimet parlamentare dhe mbi të gjitha të përfaqësoni, për më tepër, ata persona që nuk kanë më deputetët e tyre në Parlament dhe kanë mbetur, sikurse thatë, jetim në përfaqësim. Por si do të vazhdoni, sepse opozita është mobilizuar dhe thotë se do të protestojë deri sa të zhvillohen zgjedhjet dhe ju të keni lënë qeverinë dhe mbi të gjitha nuk duan të lejojnë që praktikisht të rifillojnë punimet e Parlamentit.

Krijuam një qeveri të përbashkët, pikërisht për të pasur zgjedhje që njihen nga të gjithë, por me një kusht, që kush fiton, qeveris dhe kush humbet ri në opozitë, duke hequr dorë nga të folurit keq për Shqipërinë dhe duke kontestuar zgjedhjet. Ne kemi mazhorancën, jemi përpara në të gjitha sondazhet në mënyrë shembullore.  Nuk mund të merret peng një komunitet dhe të thuash unë do bëjë kamikazin nëse nuk më jepni atë që unë dua.  Jemi gjithnjë gati të dialogojmë, të dëgjojmë por sigurisht që duhet edhe të qeverisim.

Ju citonit të dhëna, sondazhe, që mbështesin mazhorancën me të cilën jeni zgjedhur, por është e vërtetë gjithashtu se, të paktën sipas opozitës, ka pasur një përqindje votash që janë në një farë mënyre manipuluar. Sipas OSBE-së janë rreth 20% e votave.

Nuk është e vërtetë dhe OSBE-ja thotë se duhet të përmirësohen disa aspekte në ligjin zgjedhor që t’i japë më shumë qëndrueshmëri sistemit. Pastaj, blerja e votave është një fenomen që nuk mund të them se nuk ekziston.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat