Rama përjashton dorëheqjen dhe deklaron për Rainews: Opozita e paqëndrueshme

Shqipëria

Rama përjashton dorëheqjen dhe deklaron për Rainews: Opozita e paqëndrueshme

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 15:58
Edi Rama

Pas intervistës së zhvilluar me kryetaren e Partisë Lëvizja për Integrim, Monika Kryemadhi, kanali televiziv italian Rainews, ka udhëtuar drejt Gjirokastrës ku kryeministri shqiptar Edi Rama ka zhvilluar një takim me banorët e këtij qyteti.

Në mikrofonin e gazetares italiane Laura Tangherlini, Kryeminstri shqiptar shprehet se nuk ka ndërmend të dorëhiqet edhe pas vendimit të opozitës për dorëzimin e mandateve të deputetëve.

"Komuniteti ndërkombëtar ka kritikuar deri më tani vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve parlamentare e në një farë mënyre kjo është ndoshta një mbështetje ndaj qeverisjes suaj", komenton gazetarja italiane duke i kërkuar Kryeministrit shqiptar një opinion mbi këtë fakt.

"Mendoj se është një mbështetje e sensit të mirë që i jepet Shqipërisë dhe jo qeverisjes sime, përgjigjet Rama, pasi ky akt mendoj se nuk është bërë kurrë më parë në  një sistem demokratik parlamentar ku populli përfaqësohet nga zgjedhësit e tij e zgjedhësit duhet t'i përgjigjen vullnetit të popullit."

Po cila është aktualisht situata e kultivimit të kanabisit në Shqipëri e trafiku i drogës, për të cilat akuzon opozita?

Sipas kryeministrit Rama "vetëm pak kilometra nga Gjirokastra, pra në Lazarat dikur ishte Republika e pandëshkueshmërisë e cila mbështetej hapur nga politika e qeveria e dikurshme e opozicionit, që kultivonte e trafikonte normalisht marijuanë, si dhe kishte një heshtje mbrojtëse ndaj këtij fenomeni, në të gjithë vendin. Ne mundëm të hedhim dritë mbi këtë fenomen , ta luftojmë. E në fund të fundit nuk duhen dëgjuar as ata e as mua, por Guardia di Finanza e cila në raportin e 2017 ka konfirmuar se kultivimi i marijuanës është pothuajse zhdukur në Shqipëri", shprehet Rama.

Për kryeministrin Rama, protestat e studentëve dallohen nga protesta e shkurtit të opozitës.

"Protestat e studentëve ishin protesat e popullit, thotë ai, me motivet e tyre të drejta të cilat ne i dëgjuam. Ndërsa në protestat e sotme nuk është populli, është protesta e establishmentit që humbi fort në zgjedhjet e fundit".

Sipas Ramës, opozita proteston nga dëshpërimi pasi e ka të sigurt se nuk fiton dot në zgjedhjet e ardhshme lokale që janë sivjet si dhe pasi është e preokupuar nga reforma e drejtësisë që ka nisur të zbatohet në vend në bashkëpunim me Komisioni Europian e me SHBA e që po largon nga Pallati i Drejtësisë të gjithë krerët e mëdhenj të një sistemi që ka garantuar pandëshkueshmërinë e politikanëve.

Po sipas Ramës, protestat e shkurtit të opozitës kanë ndikuar në imazhin e Shqipërisë në botë e në përpjekjen e saj drejt pranimit si vend kandidat në BE.

"Shqipëria , thotë ai është në një zhvillim ekonomik në mbi 4%, e 3-4 orë protestë kanë shkatërruar 3-4 vitë punë në sensin e imazhit.

Për kryeministrin Rama, opozita shqiptare po sillet si një kamikaz që nuk pranon të dialogojë.

Ndërsa mbi raportin e OSBE me dyshimet e 20% të votës së manipuluar në zgjedhjet e fundit, kryeministri Rama përgjigjet se nuk është e vërtetë, pasi ky raport flet për vëzhgime në përmirësimin e disa aspekteve të ligjit elektoral që të mund t'i japi më stabilitet sistemit.

"Por në fund të fundit vota e manipuluar është diçka që nuk mund dhe ta përjashtojë se ekziston" thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat