“Krizën e zgjidh Krokodili”. Analistët: Të nisin bisedimet kokë më kokë edhe me ndërkombëtarët

Shqipëria

“Krizën e zgjidh Krokodili”. Analistët: Të nisin bisedimet kokë më kokë edhe me ndërkombëtarët

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 18:51
Analistët: Të nisin bisedimet kokë më kokë edhe me ndërkombëtarët

Analistët Roland Lami dhe Aleksandër Çipa e shikojnë zgjidhjen e ngërçit politik ku ka hyrë Shqipëria përmes një ndërmjetësimi nga ndërkombëtarët.

“Me këtë lloj pozicioni ku janë dy forcat politike, në kahet ektreme të tyre, unë shoh të mundshëm vetëm një propozim apo një formulë që është “Krokodili 2”, i ngjashëm me atë të vitit 2010, ku faktori ndërkombëtar do të luajë një rol deçiziv. Mendoj që vetëm ai ka rol në ditët në vazhdim për të zgjidhur ngërçin, shprehet Lami.

Ndërsa Çipa thotë: “Nuk mund të zgjidhet kriza duke ecur në ullitë e konfliktit dhe antagonizmit të thellë radikal politik. Në Shqipëri është krijuar fatkeqësisht kultura e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar. Pashmangshmërisht kësaj radhe nuk mund ta injorojmë”.

Ndërsa Enton Abilekaj është i mendimit se zgjidhja duhet të vijë nga klasa politike shqiptare: “Është një krizë e paprecendentë dhe kërkon një zgjidhje të paprecedentë. Politikisht, Edi Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet duke qeverisur deri në 2021 nuk e gjen me vend të bëjë zgjedhje të parakohshme, ndërsa opozita nuk ka ndërmend të hyjë me asnjë palë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Prandaj, kjo krizë është shumë e vështirë të zgjidhet dhe do të shihet në vazhdim ç’do të ndodhë me tërheqjen e palëve. Zgjidhja do të ishte një Parlament i ri sepse ndryshe nuk do të mund të vazhdohet me këtë Parlament monopartiak”.

Por, Abilekaj i druhet një përshkallëzimi të krizës politike: “Perceptimi i situatës është krijimi i një krize politike më të gjerë. Për shembull, me bllokimin e pushtetit lokal me ardhjen e zgjedhjeve lokale, ku opozita nuk do të marrë pjesë, pra do të detyrohen të shtyhen zgjedhjet lokale. Ky është percipitini politik dhe nuk besoj do të ketë radikalizim të konfliktit social për shkak të këtij konflikti politik”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat