Breg - liqeni i Dibrës dhe kryetari i ardhshëm i Komunës

Shqipëria

Breg - liqeni i Dibrës dhe kryetari i ardhshëm i Komunës

Alpin Ollogu Nga Alpin Ollogu Më 24 shkurt 2019 Në ora: 17:45
Liqeni i Dibrës

Aktualisht qyteti i Dibrës në aspektin isfrastrukturor nuk ka gjendje më emergjente dhe të dobishme për rregullimin e saj, se sa rregullimi i bregut të liqenit. Siç dihet, neglizhenca dhe abuzimi me bregun e liqenit, i dekadave rradhazi, veçanërisht dekadës së fundit, e ka shndërruar atë në një shëmti infrastrukturore, ka paralizuar funksionimin normal të një breg - liqeni me aspirata minimale turistike dhe të shërbyeshëm për vetë qytetarët ë Dibrës. Kundrejt vizionit për një turizëm i cili do të gjallëronte më shumë qytetin në sezonin veror, përfshirë përfitimin ekonomik, si për të ardhurat taksative ndaj Komunës, ashtu edhe bizneseve private.

Abuzimi dhe neglizhenca me bregun e liqenit, në ndërtimet pa leje; dhënien e lejëve në kundërshtim me ligjin, uzurpimet nga më banalet dhe brutalet, pa asnjë normë minimale ligjore, estetike apo funskionale, pa asnjë shqetësim më të voglin të prishjes së mirëqenies së ardhmërisë së një qyteti të tërë, kjo vetëm në shërbim të individeve dhe grupacione individësh të caktuar, të cilët për hir të së vërtetës nuk kanë bërë këto ndërtime nga halli - strehimi, por nga luski, teprimi i parasë dhe mënyra për ti shtuar ato, e bën edhe më tragjike gjithë katastrofën ndërtimore në bregun e liqenit.

Kryetari i ardhshëm i komunës, kandidatët të cilët partitë politike tani do të nxjerrin në garën zgjedhore për të parin e qytetit, kandidatët e mundshëm të pavarur, do të duhet në programin e fushatës zgjedhore ta kenë primare këtë problematike, ti ofrojnë qytetit një personalitet i cili do të dalë mbi interesat klanore dhe individuale, qofshin  këta partiake apo jo. Të çlirojë hapësirat publike të liqenit, dhe ta urbanizojë atë në përputhje me ligjin dhe projekte zhvillluese konkrete, të cilat fillimisht do të ishin të konsultuara me qytetarët, me format e parapara ligjore, që qytetit ti çlirohej nga uzurpimi dhe të frymojë lirshëm kjo hapësirë e rëndësishme, pa u cënuar e drejta e askujt të jetë i barabartë në mundësinë  e ndërtimit të paraparë sipas një plani urbanistik të mirëfilltë (hotele, vila, restorante etj). Njëkohësisht duke siguruar pjesën më të madhe të breg - liqenit për shfrytëzim publik, atraksione dhe veprimtari  adekuate si në çdo breg - liqen të urbanizuar, të paktën si në çdo qytet me standarte minimale insfrastrukturore.

Kryetari i ardhshëm i Komunës Dibër, do duhej të jetë një njeri i guximshëm dhe i arsyeshëm, që me drejtësinë e tij të bindë dhe heshtë edhe elementin më negativ, qoftë brenda partiak apo në përballjen me shkelësit e ligjit. Të dëshmojë se masat e duhura për rregullimin e bregut të liqenit, janë të dobishme edhe për ardhmërinë pasardhësve të shkelësve të ligjit. Në këtë mënyrë, një drejtësi e mirëfillts do të gjej mbështetje edhe nga elementet më negative, sepse nuk do të kishte favorizime, nepotizëm, interesa klanore korruptive. Para drejtësisë së vërtetë bindet dhe dorëzohet shumë kush. Ndërsa me ata që nuk binden, që kundërshtojnë të drejtën, një kryetar i vërtetë do duhet të jetë i ashpër dhe arrogant ndaj keqbërësve, dhe në të gjitha rastet i mirësjellshëm, i butë dhe bashkëpunues me qytetarët korrekt ndaj ligjit, pavarësisht pozitës apo pasurisë.

Nëse ata që do të kandidojnë për kryetarin e ardhëshëm të Komunes Dibër, nuk do ta kenë në çështjet primare, çështjen e bregliqenit, është e kotë të kandidojnë, kot e marrin mundimin, por edhe nëse fitojnë, do të dalin të turpëruar prej postit të tyre. Dikush mund të arsyetohet se është shumë e vështirë të rregullohet diçka që është shkatërruar me vite, se duhet përballje me interasat e ndërtuesve të paligjshëm, me këtë apo atë arsye. Atëherë ju themi që mos u turpëroni kot, lëreni punën në dorën e atyre qe e premtojnë këtë çështje dhe kanë kapacitete ti shkojnë deri në fund interesit të përgjithshëm, pavarësisht kostove personale të mundëshme.

Ka mundësi ligjore dhe mbështetje qytetare për tu rregulluar e gjithë vija e breg - liqenit. Një kryetar i ardhshëm Komune, me një ekip të pastër dhe pregaditur profesional, si dhe me kompetencat dhe ndikimin e vetë në pushtetin qëndror, mund të çrrënjos paaftësinë dhe korrupsionin, që në administrimin e gjykatave dhe prokurrisë themelore, inspektorjatin dhe policinë e qytetit, për të qenë qytetarët e sigurtë se askush smund të abuzojë me pronen publike, askush smund të jetë mbi interesat qytetare. Dhe të gjitha ata që e bëjnë diçka të tillë antiligjore, të përgjigjen para drejtësisë, kushdoqoftë.

Me përfundimin e rrugës së Arbërit, breg-liqeni i Dibrës ka mundësi të konsiderushme të bëhet atraksion turistik nga shumë banorë të R.Shqipërisë. Kjo edhe me shumë e lind kërkesën e nje liqeni me insfrastrukturë të mirë organizuar, në të cilin ndërtimet, rrugët, hapësirat publike, afariste, sportive, etj, të gjitha këto do të ishin konform ligjit, estetikës, kërkesave se më të mëdha të turistëve dhe banorëve të qytetit.

Partitë politike në Dibër nuk duhet të kandidojnë askë që nuk ka vullnet dhe nuk është i aftë të përballet me problematikën e bregliqenit. Ndërsa votuesit sdo duhej të votonin askë që shkel mbi interesat e tyre, pavarësisht manipulimeve dhe shantazheve partiake që mund tju bëhen, nga cilado forcë politike. Në rradhë të parë Dibra është e dibranëve, dhe liqeni bashkë me bregliqenin e saj, është i tyre. Kështu ju kthejmë dibranëve Dibrën. Ndërsa gjithë të tjerat janë “asfalte të shtruara dhe gropa të mbushura”!

Postet dhe pasuritë e kësaj bote janë sprovë, ata ikin dhe i lëmë pas. Kalojnë më shpejt se çna e merr mendja, por aman ata bëhen pengu jonë i mëpastajshëm në llogarinë publike dhe atë përfundimtare Hyjnore. Në këtë kuptim, Kryetari i ardhshëm, kandidatët për kryetar të Komunës Dibër, le ta kenë parasysh  këtë fakt të pamohueshëm, që kur ta bëjnë një punë, ta bëjnë më përgjegjësi dhe sinqeritet, ta bëjnë punën e duhur. Në të kundërtën, më faqebardhë dhe mirëseardhur është të mos kandidojnë dhe qëndrojnë në pozita të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat