Opozita rrethon parlamentin, Rama: Nuk tërhiqem!

Shqipëria

Opozita rrethon parlamentin, Rama: Nuk tërhiqem!

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 08:19
Pamje nga protesta

Kuvendi rrethohet me zjarr dhe gazlotsjellës, përplasje me policinë.  Protestuesit: “Të largojmë Ramën! Nuk e njohim policinë!”. Sulmohen deputetët. Në seancë miratohet struktura e KLP dhe KLGJ. Pas tre orësh, protestuesit shpërndahen me një fjalim të Bashës

Me tensione të shumta është shoqëruar protesta e djeshme e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj para Parlamentit. Protesta ka nisur rreth orës 16:30 dhe zgjati 3 orë, ka pasur tensione dhe përplasje fizike me Policinë e Shtetit, duke provokuar edhe momente zjarri pranë tyre. Protesta e opozitës është zhvilluar paralelisht me seancën plenare, ku u miratua struktura e organeve të reja të drejtësisë KLP dhe KLGJ. Përplasje me forcat e policisë, shashka, kapsolla, tymuese dhe djegie gomash, pra një luftë e vërtetë. U sulmuan deputetët që shkonin në seancë dhe kërcënohej të mos i linin të dilnin. Protesta u shpërnda pas fjalimit të Bashës

Thirrjet e protestuesve

Qytetarët e shumë para Parlamentit lëshuan thirrje kundër qeverisë dhe këndonin, ndërsa deputetët e mazhorancës zhvillonin normalisht seancën plenare brenda sallës së Kuvendit. Protestuesit e opozitës u përplasën fizikisht me efektivët e policisë, duke çarë kordonin për të hyrë në Kuvend, por në kë moment u  lëshua një sasi e madhe gazi lotsjellës, e cila ka shkaktuar pasoja shëndetësore në masën e protestuesve, që kanë hasur vështirësi në frymëmarrje. Kjo situatë vuri në lëvizje shërbimet e urgjencës që të jepnin ndihmën e parë. Ndërkohë pranë turmës i afrua edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke i bërë thirrje policisë: “Mos i prekni shqiptarët! Nuk e njohim më policinë!” Deputetët e Partisë Demokratike gjithashtu u bënë thirrje policëve të mos lëshonin gaz lotsjellës, me fjalët: “Po na helmoni, jeni antishqiptarë!” Gjatë fjalës së tij në protestën para Parlamentit, kreu i PD Lulzim Basha ka hedhur akuza në drejtin të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, në këtë ditë të vështirë i kiste lënë vetëm kolegët dhe kishte shkuar në Lushnjë për takime. Basha tha se qeveria ndryshoi ditën e seancës plenare sepse kanë frikë, ndërsa sipas tij, klikës kriminale i ka ardhur fundi. “Sot ajo godinë nuk është Kuvendi i Shqipërisë, por banda e hajdutëve që ka marre peng Shqipërinë. Ata që kalojnë ligje anti-kushtetuese dhe futën duart në kutitë e votave dhe i dhanë Shqipërisë Maduron e Ballkanit. Ato karrige nuk përmbajnë asgjë sepse pushteti i takon popullit. Ne kishim njoftuar protestën e radhës për të enjten, por nga tmerri i frikës ata ndryshuan orarin sepse mendojnë se mund ti shpëtojnë zemërimit të njerëzve. Fundi i ka ardhur klikës kriminale. Ora e të vërtetës ka ardhur”- tha Basha. Ndërkaq, protestuesit kanë qëndruar 3 orë para Kuvendit, ku nuk munguan momentet e tensionit dhe përplasjet mes turmës dhe efektivëve të policisë. Mësohet se 74 deputetët e mazhorancës të pranishëm në seancë kanë dalë nga pedonalja, nga hyrja e kalasë.

Dhuna në protestë

Gjatë gjithë kohës protestuesit kanë hedhur ujë, kapsolla dhe bidona të mbushur me sodë kaustike në drejtim të kordonit të policisë. Pas këtij veprimi policia u ka bërë thirrje me megafon protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të ndërpresin veprimet e dhunshme, pasi do zbatojnë ligjin. “Mos godisni Policinë! Ndërprisni veprimet e dhunshme dhe ruani qetësinë! Veprimet qe po kryeni përbejnë vepër penale. Policia do të zbatojë ligjin”- ka thërritur policia me megafon.

OSBE: Dhuna u nxit nga politika

Në përfundim të protestës, OSBE-ja dënoi dhunën gjatë tubimit, duke theksuar se dhuna nuk është përgjigja për problemet e vendit. “Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë. Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjesëtimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”, deklaron OSBE.

Kryemadhi: Parlamenti do rrethohet çdo seancë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi dje, para protestuesve të thirrur nga opozita se parlament i cili sot është krenaria e Edi Ramës, është dhe do të jetë gjithë jetën turp i shqiptarëve. Kryemadhi deklaroi se deputetët e maxhorancës nuk janë përfaqësues të popullit, por të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve, si dhe paralajmëroi se sa herë të ketë seancë parlamenti do rrethohet nga protestuesit. “Janë papunë, kanë falimentuar bizneset e tyre nga taksat e larta, u janë larguar fëmijët e tyre në emigracion për një vend pune më të mirë, për të gjithë ato nëna dhe baballarë, të gjithë ata shqiptarë të cilët ndjejnë çdo ditë e më shumë mundësitë për të shkolluar e për t’i rritur fëmijët e tyre e kanë çdo ditë e më të pakët. Prandaj prezenca jonë nuk është vetëm për sot. Por do të jetë çdo ditë. Do të jetë çdo ditë dhe në çdo moment, që ajo seli e parlamentit e cila në çdo moment ka qenë foltorja e fjalës së lirë në këto 27 vjet, nuk do të jetë e lirë nga rrethimi që populli do t’i bëjë asaj, sa herë që ata do të duan të bëjnë seancat e krimit të organizuar në atë parlament”, tha Kryemadhi

Maxhoranca miraton strukturat e KLGJ dhe KLP

Gjatë kohës që qytetarët dhe deputetët opozitar ndodheshin para Parlamentit janë miratuar strukturat e reja të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të lartë të Prokurorisë. Me 72 vota pro dhe asnjë kundër deputetët e maxhorancës të pranishëm në seancë miratuar ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Personeli i KLP do të përbëhet nga 65 persona, ndërsa për KLGJ do të numërojë një staf prej 125 punonjësish. Dje ishte seanca e parë plenare pas djegies së mandateve, ndërsa opozita vazhdon të me vendimin e ekstrem të largimit nga  parlamenti. Me një lëvizje të papritur, maxhoranca vendosi të mbledhë dje seancën, për të shmangur protestën e njoftuar nga opozita për ditën e enjte. Por thirrjes për seancë, opozita iu përgjigj me një tjetër thirrje për protestë, ndërsa ftoi qytetarët të mblidhen në protestë urgjente në sheshin përpara Kuvendit.

Sulmohen dy deputetë

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi është përplasur me protestuesit e opozitës dhe në një moment, ata e kanë shtyrë. Ministri është hedhur nga muret antike duke kaluar në anën tjetër, ndërsa ndiqej nga protestuesit. Po ashtu, protestuesit kanë sulmuar edhe deputetin Paulin Stërkaj. Deputeti socialist Paulin Sterkaj i kërkoi ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi që të mos nxjerrë punonjësit e policisë në protestë pa uniformat përkatëse. “I bëj thirrje ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Policisë që policinë të mos ma nxjerrin pa mjete intervenimi. Jo policë me uniformë policie përballë protestuesve, por policët të jenë të veshur me të gjitha pajisjet e sulmit të turmave që destabilizojnë vendin”. Pas seancës, deputetët janë nxjerrë me makina, duke shmangur përoplasjen me protestuesit.

“Nuk tërhiqem, kam kontratë 4- vjeçare me qytetarët”

Nga Lushnja, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur opozitës duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga kontrata 4-vjeçare me qytetarët. Sipas kreut të qeverisë, opozita dogji mandatet sepse kishte frikë nga reforma në drejtësi. “Pikërisht sepse erdhi dita të qeverisim me njerëzit dhe jo me partitë që pushtetin e njerëzve e kthyen në një tepsi të madhe. Ne nuk mund të tërhiqemi nga ky detyrim. Mblodhëm parlamentin sot. Nuk duam  konflikt, nuk duam përballje nga ato përballjet primitive që kanë ata në kokë dhe parlamenti i çliruar më në fund prej tyre do të jetë vendi ku do të mund të flasin për ju” deklaroi Rama.

Rama tha se PD dhe LSI nuk kanë asnjë mundësi që të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas Kryeministrit, opozita ankohet për rezultatin edhe pse ishte pjesë e qeverisë teknike në fushatë dhe gjatë zgjedhjeve të fundit. “Ai ishte apo nuk ishte një vit e gjysmë pëpara ku u dhamë gjithçka kërkuan, morën gjysmën e qeverisë, Ministrinë e Brendshme. Pse ua dhamë ato? Vetëm për një qëllim, kush fiton qeveris dhe kush humbet bën opozitë”, deklaroi Rama

Deputeti i PDIU bashkohet me PS

Në nisje të seancës plenare dje, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi se në zbatim të ligjit dorëzimi i mandateve nga opozita i është dorëzuar KQZ-së, ndërsa shtoi se deputeti Dritan Bici, pas largimit nga PDIU-ja ka qenë i pavarur, tashmë i është bashkuar PS-së. “Në zbatim të kodit për dorëzimin e mandateve, njoftuam organin kompetent për të vijuar me procedurat e mëtejshme. Ndërkohë që iu njoftoj se deputeti Dritan Bici është bërë anëtar i grupit të PS-së”-tha ai. Tashmë shumica arrin në 79 deputetë. 74 deputetë që PS-ja i fitoi vetë në zgjedhje, me Dritan Bicin, Robert Bitrin dhe Tom Doshin shkojnë në 77, plus dy deputetet e PDIU-së, Eleni Xhina dhe Reme Lala (nuk janë bërë pjesë e grupit të PS, por kanë mbështetur nismat) e çojnë në 79 numrin e deputetëve të shumicës aktuale.

PD: Gazi helmoi 13 protestues

Deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia vizitoi dje, në mbrëmje disa të lënduar nga protesta para Parlamentit, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si dhe në Spitalin e Traumës. Në bisedë, të plagosurat flasin se ishin helmuar nga gazi i përdorur prej policisë, edhe pse ato ishin larg protestës, në Qendrën Tregtare “Toptani”. Në Spitalin e Traumës kishte edhe të plagosur me hematoma.  Zoti Spahia tha se nga protesta e djeshme, mbetën të plagosur 13 protestues, kryesisht nga përdorimi në mënyrë kriminale e gazit lotsjellës, i cili sjell shumë efekte anësore për një periudhë shumë të gjatë tek të dëmtuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat