Mësohen 40 emrat e PD-së dhe 17 të LSI-së që ka thirrur KQZ për deputetë

Shqipëria

Mësohen 40 emrat e PD-së dhe 17 të LSI-së që ka thirrur KQZ për deputetë

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 13:02
Kuvendi

Pasi u njoftua për vakancat në parlament, të krijuara nga vendimi ekstrem i opozitës për djegien e mandateve, KQZ ka nisur procedurën e zëvendësimit, sipas  nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Burime për “Shekulli”, bëjnë me dije, se KQZ ka vënë në dijeni 57 kandidatët për deputetë të dy partive opozitare PD e LSI. Më konkretisht, pas djegies së mandateve parlamentare nga deputetët opozitarë, KQZ ka kontaktuar 40 kandidatë të PD dhe 17 të LSI. Referuar afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor ata kanë 10 ditë kohë në dispozicion për të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e vetdeklarimit sipas ligjit të dekriminalizimit, gjithmonë nëse do të pranojnë të marrin mandatin e deputetit të lënë vakant. Ndërkaq, burime të Partisë Demokratike deklarojnë se janë marrë firmat e kandidatëve për deputetë të listës, që refuzojnë të marrin këto mandate, por nuk saktësohet nëse kanë firmosur të gjithë, apo do të ketë “tradhtar” të vendimit të Këshillit Kombëtar. Në një prononcim KQZ informon se ekzistojnë dy variante për të vazhduar me zëvendësimet e listës së kandidateve, por gjasat janë se me mbarimin e listës së PD-së, KQZ nuk do vijojë me procesin. “Lista e Tiranës ka 50 emra. Kemi thirrur 12 palë dhe do thërrasim të dytët deri sa të shterojmë gjithë listën. Akoma s’kemi marrë ndonjë vendim. Por ka dy variante: disa thonë se mbaron lista e PD-së dhe s’ka më, disa thonë që mund të kalojnë në faza të tjera. Por më shumë do qëndrojmë te varanti i parë”, i tha burimi.

Argumenti ligjor

Pavarësisht faktit se neni 164 ka paqartësi në zëvendësimin e mandateve të deputetëve, vërehet se ka mungesë transparence për procedurën e heqjes dorë. Edhe institucioni i Kuvendit e pranon se ligji nuk është i përgatitur për të zgjidhur situata të tilla ekstreme, e cila nuk është marrë me ligjshmërinë e mandateve, por thjesht ka marrë kërkesat dhe i ka depozituar në KQZ. Tashmë kjo e fundit vendos për fatin e tyre. Në një prononcim Drejtoria Juridike e Kuvendit, interpreton aspektin juridik të nenit 164 për zëvendësimin e mandateve. “Ligji nuk i ka menduar këto që po ndodhin në realitetin shqiptar. Neni 164 thotë: mandati i deputetit ndërpritet vetëm për shkaqe të parashikuara në nenin 71, që thotë: kur deputeti heq dorë, mandati ndërpritet. Kur deputeti heq dorë dhe nuk përdor shkak për ndërprerjen e mandatit. Në rastin e shkronjës a dhe b të pikës 2, pra të heqjes dorë, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjes dorë nga mandati. Në rastin konkret ata kanë bërë deklarata individuale dhe i kanë sjellë në sekretarinë e Kuvendit, drejtuar kryetarit të Kuvendit mbi bazën e së cilës ata kanë deklaruar se heqin dorë nga mandati i tyre. Ka ardhur kërkesa në Kuvend, është protokolluar për 57 deputetë dhe është dërguar në KQZ. Procedura është kompetencë e KQZ-së. Ajo merr vendimin për dhënie mandati, ku sipas nenit 164 pika 3 thotë; për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të kodit. Vendimi i njoftohet kandidatit, botohet në fletoren zyrtare. Dhe KQZ-ja shikon nëse jemi në kushtet e nenit 69 të Kushtetutës apo jo? Sepse neni 69 i Kushtetutës ka disa raste përjashtimore kur nuk mund të bëhesh deputet. Dhe deputeti pasi bën deklarimin në kuadër të ligjit për dekriminalizmin, bën deklarimin dhe verifikohet që nuk ka probleme me këtë ligj, atëherë KQZ-ja jep vendimin kandidatit në radhë për të marrë mandatin. Ky vendim botohet në fletoren zyrtare dhe nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi pa shkaqe të përligjura, atëherë mandati i kalon kandidatit vijues, sipas procedurës të parashikuar. Kështu do vazhdojë deri në mbarimin e listës. Kjo është një procedurë që e ka KQZ-ja”, -deklaron drejtoria juridike.

Lista

Listën e kandidatëve të kontaktuar për t\iu komunikuar që të plotësojnë formularin  e vetdeklarimit. Kandidatët e listës janë si më poshtë:

Qarku Berat: LSI, Llambriolla Mistol, Rexhina Limja; PD, Lefter Maliqi

Korçë, LSI Pirro Kapurani; PD,  Andrea Mano, Ligoraq Karamelo, Suela Myrtollari, Marta Male

Vlorë, LSI, Sokol Dervishaj; PD, Arben Ristani, Dashamir Tahiri Matilda Qurku

Gjirokastër, LSI,  Erjola Braha; PD, Mimoza Como

Elbasan, LSI, Enver Roshi, Rudina Mita: PD: Taulant Zeneli, Nada Tapija, Sindi Daiu

Fier, LSI, Erisa Xhixho; PD, Luljeta Sejko, Aurora Koroveshi, Elizabeta Kurti

Dibër, LSI, Aurora Mara; PD,  Edmond Isaku, Denisa Vata

Durrës, LSI, Edlira Hyseni; PD, Agron Duka, Vullnet Topalli, Dejana Burgjia, Helenida Sava

Shkodër,LSI,  Dritan Hylli; PD, Gjokë Uldedaj, Bednardeta Syku, Denisa Meci, Orjeta Shkambi

Lezhë, LSI, Elda Hoti; PD, Prec Zogaj, Martin Biba, Enkelejda Rica

Tiranë,LSI, Kevi Pojana, Ardit Cela, Ylli Shehu, Edmond Rrushaj, Ralf Gjoni; PD, Gerti Bogdani Mirela Tabaku, Barbara Doda, Enkelejda Sallaku, Besmira Petriti, Ana Kadillari, Ina Haxhija, Orjona Kurtesi, Majlinda Halilaj, Zana Prela

Kukës, PD, Alban Zeneli, Miftar Dauti

Kuvendi mblidhet në 5 mars

Seanca plenare e radhës do të mbahet ditën e martë, 5 mars 2019. Ky është vendimi paraprak i Kuvendit. Opozita njoftoi sot anulimin e protestës së ditës së nesërme para Parlamentit për shkak të moszhvillimit të seancës parlamentare dhe pritet të kthehet të martën në shesh. Ndërkaq, grupi organizator i protestave në PD ka shpërndarë një mesazh për të gjithë degët e Tiranës por edhe degë të tjera afër kryeqytetit duke ju kërkuar të angazhohen për në datën 5 mars pasi parlamenti pritet të mblidhet. Ndërkohë, po të njëjtat burime thonë se mbetet e pandryshueshme protesta e 16 Marsit, përpara Kryeministrisë. Ditën e djeshme, opozita e bashkuar zhvilloi një protestë 3 orëshe para Parlamentit, ndërkohë që Parlamenti po zhvillonte seancën, ku u miratuan strukturat e KLGJ dhe KLP. Gjatë protestës së djeshme pati edhe përplasje me policinë, ku protestuesit çanë kordonin e policisë dhe i goditën me sende të forta, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat