Kryetari i bashkisë Skrapar përgjegjës për bllokimin e buxhetit

Shqipëria

Kryetari i bashkisë Skrapar përgjegjës për bllokimin e buxhetit

Më: 1 mars 2019 Në ora: 16:45
Skrapar

Kryetari i Bashkisë Skrapar është përgjegjës për bllokimin e buxhetit të kësaj bashkie dhe mbi bazën e të gjitha informacioneve që disponon, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë bllokimin.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka reaguar lidhur me situatën e bllokimit të buxhetit  në Bashkinë e Skraparit (Ҫorovodë), duke sqaruar se, ka ndjekur nga afër ҫdo zhvillim në këtë bashki dhe në bazë të ligjit për vetëqeverisjen vendore, është Kryetari i Bashkisë Skrapar ai që duhet të dërgojë në degën e thesarit detajimin e buxhetit të vitit 2019.

“Pretendimi i Kryetarit të Bashkisë, Skrapar për përdorimin e buxhetit të përkohshëm vendor për vitin 2019, 1/12 e shpenzimeve të një viti më parë është në kundërshtim me ligjin për sa kohë që këshilli i kësaj bashkie është shprehur me një vendim për miratimin e buxhetit të vitit 2019. Ministria e Financave dhe Ekonomisë i është drejtuar Kryetarit të Bashkisë, Skrapar zytarisht të bëjë detajimin e buxhetit dhe ta dërgojë atë për zbatim në degën e thesarit Skrapar”, citon njoftimi i MFE.

Në vijim, MFE bënë sërish me dije se fondet janë të disponueshme në thesar dhe presin vetëm kërkesën e Kryetarit të Bashkisë për detajimin e buxhetit. Pa këtë detajim, që vetëm Kryetari i Bashkisë ka të drejtën në bazë të ligjit për ta dërguar si nëpunësi autorizues i bashkisë, thesari është në pamundësi ligjore të çeljes të fondeve.

MFE i bën thirrje Kryetarit të Bashkisë Skrapar, për dorëzimin e detajimit të buxhetit të miratuar sipas ligjit dhe mosbërjen pengesë për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët e kësaj bashkie.

“Në këto kushte, për krijimin e kësaj situate, bazuar në kuadrin ligjor Ministria e Brendshme si autoriteti qendror përgjegjës për pushtetin vendor, përmes Drejtorisë së Çështjeve Vendore dhe Prefekturave ka nisur procedurat për inspektimin e të gjithë praktikës të dokumentacionit për këtë rast dhe në ditët në vijim merret një vendim për zgjidhjen. Ministria e Financave dhe Ekonomisë siguron gjithashtu të gjithë qytetarët e vendit se ajo vepron bazuar në ligj për të gjithë shtetasit njësojë pa dallim”- thuhet në njoftimin e MFE. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat