Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi Genci Nimanbegu dhe analisti Ben Andoni thanë se bashkimi i forcave politike shqiptare në Tuz për zgjedhjet është një ogur i mirë.
Në Ora News Nimanbegu tha se kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen e Malit të Zi.
Genci Nimanbegu: Ka shumë anë të mirë bashkimi i subjekteve politike shqiptare. Për herë të parë subjektet janë bashkuar dhe nuk do të ketë shpenzime energjie mes vetit, por votuesve do ti paraqitet një program i yni i cili do të jetë një program i subjekteve politike që do të fitojnë komunën pas një kohe të gjatë. Së dyti kjo besoj se do të jetë shenjë e mirë edhe për të ardhmen për nivelin shtetëror në Mal të Zi.
Ben Andoni: Rasti i zgjedhjeve në komunë është rast i veçantë sepse janë zgjedhjet e para. Rëndësi ka që shqiptarët në Mal të Zi duhet të kuptojnë që bashkimi i tyre është bashkim për ata vetë sesa për faktorin shqiptar në vendet e tjera. Mungesa e bashkimit të elementit shqiptar në Mal të Zi ka sjellë bjerrje të votave të shqiptarëve. Ky bashkim është një ogur i mirë për arsye se shqiptarët në Mal të Zi kanë treguar se janë një faktor mbështetës për rrugën evropiane të Malit të Zi. Këtë e kanë treguar me fakte, paçka se pushteti malazez nuk ka qenë i drejtë me shqiptarët. Kjo shikohet nga investimet, nga një lloj politike asimilimi. Komuna e Gucisë është pothuajse e asimiluar. Lufta më e madhe bëhet në Tuz, sepse me ardhjen e boshnjakëve shqiptarët po largohen. Votimi i nesërm do të ndahet në shumë pak vota. Unë besoj se bashkimi i shqiptarëve në Tuz duhet të jetë shembull i mirë edhe për bashkimet më përpara të shqiptarëve në Ulqin, që për hir të së vërtetës nuk kanë funksionuar siç duhet. Tuzi do arrijë të tregojë me fuqitë e veta nëse do administrohet nga shqiptarët sa të zotët do jenë për të rritur mirëqenien e kësaj komune.