Ngjarja në Ish-Bllok/ “Më sulmuan, u tremba dhe…”, dëshmia e Ervin Matës në Polici, i jep fund arratisë pas 5 muajsh

Shqipëria

Ngjarja në Ish-Bllok/ “Më sulmuan, u tremba dhe…”, dëshmia e Ervin Matës në Polici, i jep fund arratisë pas 5 muajsh

Më: 3 mars 2019 Në ora: 20:51
Ervin Mata është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës mbrëmjen e së premtes.

Ishte shpallur në kërkim për ngjarjen në ish-Bllok, biznesmeni Ervin Mata është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës mbrëmjen e së premtes.

Kujtojmë se ai ishte i përfshirë në përplasjen me armë të ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit në një lokal në zonën e njohur si Blloku, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë, ndër ta edhe Ervis Martinaj, i njohur për precedentët e shumtë kriminalë. Ndërkohë, Mata, pas më shumë se 5 muajsh arrati, ka zgjedhur t’i dorëzohet drejtësisë, ndërsa referuar njoftimit zyrtar të Policisë, akuzohet për plagosje dhe mbajtje të armëve pa leje.

Gjatë dëshmisë së dhënë në Polici, Mata, ndër të tjera, ka mohuar se ka qëlluar me armë. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ekzekutuan urdhrin e ndalimit për shtetasin: E.M., 31 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi E.M. është person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të ‘Vrasjes në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim’ dhe ‘Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’, të parashikuara nga nenet 79 dhe 22, 25 dhe 278 të Kodit Penal.

Materialet referuese i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, shkruhet në njoftimin e Policisë. Nuk dihet se në çfarë kushtesh është dorëzuar Mata, ndërsa edhe më herët përflitej për një veprim të tillë. Tashmë, në kërkim për ngjarjen e rëndë, që disa muaj më parë tronditi kryeqytetin, është komandoja Mevjol Bilo, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së Fabian Gaxhës, viktimës së përplasjes me armë. Gjithashtu, në kërkim ndodhet edhe Eldi Dizdari, ndërsa ka dyshime se ky i fundit mund të ketë qenë nismëtari i konfliktit.

Ngjarja

Ngjarja në fjalë ndodhi në 4 tetor, rreth orës 21:30, në ish- Bllok, ndërsa rreth 12 orë pas ngjarjes, Policia njoftoi se bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë dhe Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër dhe shpalli në kërkim shtetasit Ervin Mata, 31 vjeç, banues në Tiranë, Fabiol Allushaj, 42 vjeç, banues në Tiranë dhe Mevjol Bilo, 41 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas, mbrëmjen e së enjtes së 4 nëntorit, në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të lokalit “Monopol”, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.

Gjatë këqyrjes dhe hetimeve paraprake, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip “Glock”, 11 gëzhoja, 10 000 euro, tri automjete dhe aparate celularë, të cilët iu nënshtruan më vonë edhe ekspertimeve nga Prokuroria. Shtetasit e lartpërmendur akuzohen për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.
Ndërkohë, në dosjen hetimore të Prokurorisë së Tiranës, thuhet se rreth orës 20:37, nga dyqan “Monopol”, ka dalë shtetasi Ervin Mata, i cili ishte duke folur në telefon dhe sipas deklarimit të dhënë nga Redi Popescu, Ervini del jashtë për t’u takuar me të fejuarën e tij, për të shkëmbyer një çelës shtëpie. Aty ka kaluar një automjet dhe personi apo personat që kanë qenë brenda tij, sipas dëshmisë së Popescut, kanë ngacmuar të fejuarën e Ervinit.

Dëshmia në Polici

Biznesmeni Ervin Mata, i cili dyshohet se është një nga personat e përfshirë në përplasjen me armë, para hetuesve në dëshminë e dhënë, nuk e ka pranuar një gjë të tillë, duke thënë se ai ishte sulmuar dhe është larguar që aty nga frika. Referuar burimeve, Mata ka treguar të njëjtat rrethana të ngjarjes, të cilat duken edhe në kamerat e sigurisë të fiksuara në bizneset pranë vendit të ngjarjes. Ndërkohë, në lidhje me akuzën e Prokurorisë, se ai është një ndër personat që ka qëlluar gjatë përplasjes me armë, e cila ka zgjatur vetëm pak sekonda, ai nuk e ka pranuar. Në dëshmi, 31-vjeçari është shprehur se nuk ka qëlluar me armë atë ditë.

“Mua më sulmuan. Unë jam larguar nga lokali pasi u tremba, por nuk kam qenë i përfshirë dhe nuk kam qëlluar”, ka thënë ndër të tjera Mata. Ky i fundit pritet që brenda dy ditësh të dalë para Gjykatës së Tiranës, e cila do të bëjë edhe vlerësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” dhënë në mungesë. Kujtojmë se, gjatë hetimeve Prokuroria e ka pasur të vështirë të përcaktojë personat që kanë qëlluar, kjo pasi në ambientet ku ka ndodhur përplasja, nuk ka kamera sigurie./ Panorama

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat