Euro merr sërish tatëpjetën, zbret nën 125 lekë

Shqipëria

Euro merr sërish tatëpjetën, zbret nën 125 lekë

Më: 4 mars 2019 Në ora: 19:49
Ilustrim

Euro ka nisur sërish rënien në tregun e brendshëm pas një rritje që ajo kishte marrë përgjatë muajit shkurt. Në vetëm dy ditë, euro humbi pikët që i kishte marrë prej më shumë se dy javësh. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.92 lekë, duke humbur një lek që prej të enjtes së javës së kaluar kur monedha e përbashkët europiane arriti në 125.92 lekë, apo nivelin më të lartë që nga fillimi i muajit tetor.

Kjo rënie ishte e pritshme, pasi vlerësimi i euros erdhi nga faktorë të përkohshëm, që lidheshin sipas ekspertëve me transferimin e fitimit të kompanive të mëdha, çka rriti kërkesën për euro në tregun e brendshëm. Në bilancin e pagesave sipas të dhënave nga Banka e  Shqipërisë, për 9 mujorin 2018, të ardhurat dalëse nga investimet, pjesa më e madhe e të cilit është transferim fitimesh, ishin 296 milionë euro.

Oferta për euro mbetet e lartë dhe kërkesa për të relativisht e dobët, ndërkohë në kahun tjetër, qarkullimi i monedhës vendase është i ulët. Parashikimet e  Bankës së Shqipërisë tregojnë se  kursi i këmbimeve valutore do të jetë më i qëndrueshëm këtë vit, ndryshe nga 2018, kur euro e nisi vitin në kuotën e 134 lekëve dhe e mbylli me 133 lekë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore në më shumë se një dekade. Sipas Bankës së Shqipërisë, euro ka zbritur në një ekuilibër të ri në nivelet aktuale, të rreth 124-126 lekëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat