U arrestua se vrau nënën, djali jep tjetër version në polici

Shqipëria

U arrestua se vrau nënën, djali jep tjetër version në polici

Më: 6 mars 2019 Në ora: 15:53
Foto

“Nuk e kam vrarë, nëna ka vdekur aksidentalit”. Kjo ka qenë dëshmia e Nesim Demollarit para Policisë, gjatë marrjes në pyetje për akuzën e vrasjes së nënës së tij 84-vjeçare.

I biri ka mohuar që të jetë përgjegjës i krimit, duke thënë se nëna e tij ka gjetur vdekjen aksidentalisht dhe se nuk ka qenë ai shkaktari i ngjarjes së rëndë ku mbeti e vdekur Nazime Demollari.

“Ndodhesha në shtëpi dhe nëna ime u përpoq të ngrihej nga shtrati pasi ishte e sëmurë. Ajo u rrëzua dhe u godit keq. U përpoqa ta ndihmoja dhe pashë se ajo nuk po jepte shenja jete, as frymë nuk merrte. Në ato momente telefonova vëllain tim, i cili jeton në Tirani. Isha i trembur, nuk dija çfarë të bëja. I kërkova atij që të lajmëronte njerëz dhe të dërgonte dikë sepse mamaja kishte vdekur. Nuk e vrava unë, nuk është e vërtetë që ajo vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga unë. Ajo u rrëzua dhe gjeti vdekjen si pasojë e kësaj”, është shprehur para grupit hetimor 64-vjeçari.

Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë se në momentin e arrestimit, 64-vjeçari ka qenë nën efektin e alkoolit dhe ka pasur vështirësi për të krijuar një deklarim të qëndrueshëm, ndaj ai është marrë disa herë në pyetje, por së fundmi ka hedhur poshtë çdo akuzë të ngritur ndaj tij sa i takon vrasjes së nënës.

Ndërkohë, Policia thotë se ka arritur të zbardhë ngjarjen dhe se vdekja e 84-vjeçares ka ardhur nga goditje me sende të forta në kokë dhe trup dhe për këtë arsye ndaj Nesim Demollarit rëndon akuza “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Këqyrja e trupit të viktimës hodhi dritë mbi një krim makabër brenda familjes. Burime të rezervuara bënë me dije se nga ekspertiza mjeko-ligjore, në trupin e së moshuarës u konstatuan hematoma të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Hematoma ka pasur edhe në pjesën e fytyrës së gruas ndërsa në qafë shenja të nxira dhe gërvishtje.

Por ndërsa pritet që të përcaktohet shkaku i këtyre hematomave, ekspertiza ka nxjerrë në dritë se hematomat janë shkaktuar në periudha të ndryshme kohe duke konkluduar kështu se e moshuara është dhunuar në mënyrë periodike, ndërkohë që pritet që të zbardhet edhe shkaku i tyre dhe lloji i mjetit, me të cilin janë shkaktuar. Ngjarja ndodhi mesditën e së hënës në lagjen 13 të qytetit të Korçës, në apartamentin ku nënë e bir jetonin së bashku, pas divorcit të këtij të fundit./panorama/

Gruaja e moshuar jetonte vetëm me të birin prej disa vitesh pas divorcit të tij, ndërsa ishte pre e dhunës që vinte si pasojë e konsumit të alkoolit. Nesmi Demollari shpeshherë e keqtrajtonte fizikisht të ëmën, pasi i kërkonte para për të konsumuar alkool dhe kjo kthehej shpesh në arsyen e grindjes mes tyre.

Nëna e 5 fëmijëve pak vite më parë kishte humbur vajzën e saj si pasojë e një sëmundje të padurueshme, ndërsa kishte refuzuar të jetonte me djemtë e tjerë që jetonin njëri në kryeqytet dhe të tjerët jashtë vendit, pasi donte të kujdesej për djalin pas divorcit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat