Presidenti i PPE: Rruga e Shqipërisë në Europë kalon përmes demokracisë funksionale

Shqipëria

Presidenti i PPE: Rruga e Shqipërisë në Europë kalon përmes demokracisë funksionale

Më: 6 mars 2019 Në ora: 15:59
Foto

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u takua në Bruksel me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul, ku sipas një njofitmi të zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, "Këlliçi vuri në dukje se vota e lirë është sot peng i krimit dhe shqiptarët janë ngritur për t’i dhënë fund kësaj situate".

“Rinia, studentët dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve janë bashkë, janë në këmbë dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë për vendin se standardet europiane demokratike. Shqiptarët duan garantimin e votës së lirë, politikanë të pa lidhur me krimin, drejtësi të pa kapur që dënon politikanët të cilët blejnë votat dhe vullnetin e qytetarëve, si dhe vjedhin fondet publike, luftë kundër korrupsionit”- u shpreh Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi.

Presidenti i PPE, Joseph Daul, konfirmoi se Partia Popullore Europiane po e ndjek me shumë vëmendje dhe prioritet situatën në Shqipëri, si dhe shprehu vendosmërinë e tij për ta ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin europian.

Zoti Daul theksoi se ky rrugëtim kalon përmes parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale. 

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kryetari i FRPD Belind Këlliçi mori pjesë në konferencën e organizuar nga Grupi i PPE-së në Parlamentin Europian me temë: "Promovimi i proçesit të pajtimit në Ballkanin Perëndimor: perspektiva e të rinjve". 

Kreu i të rinjve demokratë shqiptarë u bëri thirrje drejtuesve të Bashkimit Europian të shtojnë vëmendjen ndaj rajonit të Ballkanit, ku, shkelja e vlerave themelore të demokracisë, në disa vende, po sjell destabilitet. 

“BE duhet të rrisë përpjekjet e saj në mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave themelore në vendet tona, si demokracia funksionale, liria dhe të drejta të tjera me rëndësi vendimtare.” – tha Belind Këlliçi, i cili vlerësoi si kyç për Ballkanin, bashkëpunimin rajonal.

Kreu i FRPD mbështeti krijimin e zonës ekonomike, duke e parë si një instrument që ndihmon veçanërisht të rinjtë në Ballkanin Perëndimor.

“Krijimi  i nje zone ekonomike rajonale do të ishte një hap i rëndësishëm për të lidhur tregjet ekonomike dhe njerëzit duke e unifikuar kështu tregun ballkanik dhe duke e konsideruar si një treg me 20 milionë konsumatorë. Më shumë se 100 mijë vende pune mund të krijoheshin në të gjithë Ballkanin Perëndimor përmes integrimit më të thellë ekonomik dhe social”- theksoi Belind Këlliçi gjatë konferencës së organizuar në Bruksel nga grupi i PPE-së në Parlamentin Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat