Xhaçka në Komandën e Bashkuar të NATO-s, rikonfirmon politikën e dyerve të hapura

Shqipëria

Xhaçka në Komandën e Bashkuar të NATO-s, rikonfirmon politikën e dyerve të hapura

Më: 6 mars 2019 Në ora: 19:23
Olta Xhaçka

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë pune në Komandën e Forcës së Bashkuar të Aleancës së Atlantikut të Veriut me qendër në Napoli, ku u prit nga komandanti i kësaj force, admiral James Foggo, i cili është njëkohësisht edhe komandant i forcave detare të SHBA për Europën dhe Afrikën. 

Gjatë takimit, ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka nënvizoi drejtimin Strategjik të NATO-s në Jug të Aleancës, si kontribut vendimtar për paqen dhe stabilitetin në këtë zonë të Aleancës.

Ajo siguroi admiralin amerikan se vendi ynë do të vazhdojë të promovojë politikën e dyerve të hapura dhe të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

“Shqipëria është e vendosur të jetë qendër e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor si dhe zëri kryesor për vlerat dhe aspiratat euroatlantike të vendeve të rajonit, duke përfshirë Kosovën. Në funksion të një rajoni më të sigurt e të mbrojtur nga kërcënimet që vijnë nga Rusia, për Ballkanin Perëndimor e ardhmja e vetme është orientimi drejt perëndimit”, tha ministrja Xhaçka në takimin me admiral Foggo.

Për komandantin e Forcës së Bashkuar, Shqipëria përmes pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse të NATO-s si dhe rolin e saj aktiv në rajon, ka treguar se është një anëtare e denjë e Aleancës dhe kontribuese për paqen dhe sigurinë.

“Kontributi dhe roli i Shqipërisë për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit është mbresëlënës”, tha admiral Foggo gjatë bashkëbisedimit me ministren shqiptare të Mbrojtjes.

Dëshmi e kësaj, përfundoi admiral, është edhe konferenca rajonale e Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi që Komanda e Forcës së Bashkuar Aleate do të organizojë në Tiranë gjatë muajit maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat