Hipotekimi i tokave të ndara me ligjin 7501, procedurat e reja si do zhbllokohen

Shqipëria

Hipotekimi i tokave të ndara me ligjin 7501, procedurat e reja si do zhbllokohen

Më: 7 mars 2019 Në ora: 08:46
Ilustrim

Në vijim të përpjekjeve për përfundimin e procesit të njohjes së pronësisë mbi tokën, dy ministri – e Drejtësisë dhe e Bujqësisë – kanë ndërmarrë nismën për të bërë ndryshime në një VKM, të miratuar në dhjetor të vitit 2015, i cili vendos rregullat për regjistrimin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, kur kjo pronësi është fituar me ligjin 7501. Duke qenë se në terren, për vite të tëra, shumë qytetarë po sorollaten me letrat e marrjes së tokës në pronësi, por Hipotekat nuk ua pranojnë, ministritë i propozojnë qeverisë që të lehtësojë dhe qartësojë procedurat, të cilat lidhen me procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, në aktin e marrjes së tokës në pronësi (AMTP), të nxjerrë në zbatim të ligjit 7501, datë 19 korrik 1991, nga organet e pushtetit vendor, në bashkëpunim me Hipotekat.

Dokumenta me ndërhyrje

Drafti i ri konstaton se në shumë raste, mbi AMTP-të e dorëzuara nga qytetarët përfitues të tokës ka shënime me shkrim dore, ku është hequr një vizë fjalët e parapërgatitura në shkresë “në përdorim” dhe sipër tyre është shkruar “në pronësi”. Kjo ka krijuar mjaft probleme, duke qenë se Hipotekat e quajnë një gjë të tillë si korrigjim mbi një dokument shumë të rëndësishëm, mbi bazën e të cilit jepet e drejta e pronësisë mbi tokën dhe nuk e pranojnë si original këtë dokument. Sipas ministrive, një situatë e tillë është krijuar ngaqë komisionet e ndarjes së tokave gjatë punës së tyre jo rrallë janë hasur me fenomenin e mungesës së formularëve dhe korrigjimet bëheshin në mënyrë jo të rregullt. Fjala është për ngjarje që kanë ndodhur në vitet e para pas demokracisë, ku mungesa të tilla ishin të zakonshme. Kjo situatë shkaktonte atë që qytetarët, ndonëse ishin përfitues sipas ligjit 7501 të tokave të ish-kooperativave bujqësore, nuk mund të regjistronin pronat, ngaqë Hipotekat refuzonin t’i pranonin sit ë ligjshme këto dokumente. Me ndryshimin e propozuar tani, mendohet që të mos konsiderohen më si mangësi të AMTP-ve të lëshuara në territoret e ish-kooperativave ato raste kur është bërë një shënim i tillë sipër tyre. Në këtë mënyrë, duke qenë se kjo tani rregullohet me VKM, pra me vendim qeverie, Hipotekat do të detyrohen të pranojnë si të rregullta edhe dokumenta të këtij lloji dhe personi mund të regjistrojë tokën rregullisht.

Hipoteka do t’i kërkojë bashkisë që të verifikojë nëse janë shprehur apo jo me shkrim anëtarët e komisioneve, duke pranuar faktin se mungonin formularët ndaj veprimet i kanë bërë me shkrim dore, për të shmangur mundësinë e ndërhyrjeve më të vonshme në kohë.

Por drafti i propozuar mendon që të lihet në fuqi një ndalim i caktuar: sa më sipër mund të pranohet vetëm në rastin e dokumentave të lëshuara në territoret e ish-kooperativave, ku edhe njihet fakti që mangësitë në kancelari ishin të theksuara në vitet kur është kryer ndarja e tokës. Ndërkohë, nuk do të pranohen dokumenta të korrigjuara në këtë formë, pra që korrigjojnë faktin nëse toka është dhënë në përdorim apo në pronësi, kur komisionet kanë ndarë tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kryesisht ishin krijuar në qytete, ku dokumentacioni vështirë se mungonte. Pra, në këto raste, nuk do të pranohen për regjistrim në Hipoteka dokumente të marrjes së tokës në pronësi kur është korrigjuar me dorë “në përdorim” me “në pronësi, si dhe kur ka korigjime të tjera po me shkrim dore nga anëtarët e komisioneve të ndarjes së tokës tek numri i ngastrës, ose tek sasia e sipërfaqes së përfituar, ose tek emërtimi i kategorisë së ngastrës.

Familjet bujqësore

Një situatë tjetër e konstatuar është ajo, kur në të njejtin titull pronësie janë përfshirë dikur dy certifikata familjare dhe nga ana e komisioneve të ndarjes së tokave ky bashkim është bërë duke i konsideruar këto dy certifikata si bashkim të një familjeje të vetme bujqësore. Raste të tilla, gjithashtu, janë konstatuar në shumë bashki në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në rast se qeveria miraton ndryshimet e propozuara në këtë draft, atëhere një veprim i tillë nuk do të konsiderohet më i papranueshëm për efekt regjistrimit të titullit të pronësisë, duke hapur kështu rrugën për njohjen dhe regjistrimin e tyre nga Hipotekat. Por vendoset një kusht: përfituesit në këtë rast duhet të sjellin deklarata noteriale ku të thuhet me përgjegjësi ligjore se ata nuk janë trajtuar me asnjë AMTP tjetër. Në të kundërt, Akti do të quhet i pavlefshëm dhe nuk mund të regjistrohet titulli i pronësisë. Dhe, AMTP-të duhet të jenë të lëshuara para 15 gushtit 2008. Njëkohësisht, bashkitë duhet të bëjnë edhe një verifikim të numrit të pjesëtarëve të familjeve deri në datën 1 tetor 1992, si dhe të verifikojnë faktikisht tokën bujqësore që familja ka aktualisht në dispozicion.

Djegia e arkivave

Një shqetësim tjetër, që ka penguar në raste të përsëritura procesin e regjistrimit të tokave bujqësore, të ndara sipas ligjit 7501, ka qenë edhe ai i krijuar si pasojë e djegies të dokumentave të regjistrimit në fshatra të ndryshme gjatë trazirave të vitit 1997. Sikurse dihet, shumë zyra të Hipotekave, Gjykatave, Gjendeve Civile, Arkivave, janë djegur me qëllim nga përfitues të rremë të pronësive, që kanë eliminuar në këtë mënyrë dokumenta origjinalë që ruheshin nga shteti, për t’i zëvendësuar me dokumenta të falsifikuara. Më pas, dokumentat e rreme fitonin “të drejtën e qytetarisë” në sajë të korrupsionit tek gjyqtarët. Raste të tilla kanë qenë të përhapura në zonat bujqësore si Fier apo Lushnje. Këto shqetësime janë ngritur vazhdimisht nga bashkitë, të cilat nuk i pajisin me AMTP qytetarët e interesuar, pasi rezulton nëpër regjistra që ata e kanë marrë një herë këtë shërbim dhe aim und të jepet vetëm një herë. Me ndryshimet e propozuara, bashkitë mund të lëshojnë dublikata të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi.

Mungesa e firmave

Drafti propozon që, edhe në ato raste kur regjistrimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore është bllokuar për shkak se Hipoteka ka konstatuar mungesë në AMTP të firmës së kryetarit të komisionit të ndarjes së tokave në fshat konform ligjit 7501, kjo mund të kapërcehet. Kështu, do të kërkohet verifikimi i dokumentit pranë organit më të lartë të këtyre komisioneve. Madje, do të mjaftojë fakti që shumica e anëtarëve të komisionit kanë vendosur nënshkrimet e tyre, për ta bërë të ligjshëm këtë dokument dhe, si pasojë, të pranueshëm nga ana e Hipotekës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat