Dënohen me 34 vite burg policë të Kufirit dhe doganieri i Portit të Durrësit

Shqipëria

Dënohen me 34 vite burg policë të Kufirit dhe doganieri i Portit të Durrësit

Më: 7 mars 2019 Në ora: 09:59
Foto

Gjykata për Krime të Rënda dënoi dje me 34 vite burg në total, 6 të pandehurit për trafikimin e 2,5 tonëve drogë nga Porti i Durrësit.

Gjykata për Krime të Rënda dënoi dje me 34 vite burg në total, 6 të pandehurit për trafikimin e 2,5 tonëve drogë nga Porti i Durrësit, ndër ta edhe 3 punonjës të Doganës dhe Policisë Kufitare. Në seancën e djeshme, kur edhe u mbyll shqyrtimi gjyqësor, i cili zgjati rreth një vit, të pranishëm ishin të gjithë të gjykuarit, ndërsa nga mbrojtja u kërkua pafajësi. Treshja gjykuese, pasi u tërhoq për 3 orë në dhomë këshillimi, gjeti fajtor për trafikimin e lëndës narkotike dhe grup të strukturuar kriminal, Euron Hotin dhe Malton Lleshin, duke i dënuar ata me 13 vite burg, aq sa kërkoi edhe prokurori në pretencën e lexuar disa javë më parë.

I fajshëm u gjet edhe Aurel Lazaj, i cili u dënua me 16 vite burg dhe për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, përfitoi ulje, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite. Ndërkohë, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, u gjetën fajtorë dy ish-punonjësit e Policisë Kufitare, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllani, si dhe ish-doganieri i Portit të Durrësit, Mikail Hila, të cilët u dënuan me nga 2 vite burg. Pafajësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës e mori ishdoganieri i Durrësit, Altin Ka tundi. Menjëherë pas leximit të vendimit nga ana e Gjykatës, të pandehurit shprehën acarim, ndërsa njëri prej tyre pati edhe një debat me avokatin e tij.

Në lidhje me këtë rast të trafikimit, janë duke u gjykuar edhe 9 persona të tjerë, 5 prej të cilëve janë në mungesë, pasi nuk është bërë i mundur arrestimi i tyre dhe për 4 të tjerë procesi ka filluar dhe është në fazën e marrjes së provave të akuzës, ku pritet të dëshmojë edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Aurel Lazaj.

Ky i fundit ka treguar mënyrën se si ka funksionuar grupi dhe, sipas tij, e ka nisur aktivitetin kriminal që në vitin 2011, fillimisht duke trafikuar drogën në rrugë detare me skaf nga Vlora në Itali, por me fuqizimin e një grupi tjetër ka thënë ai, ata janë detyruar të ndryshojnë mënyrën e trafikimit të lëndës narkotike. Sipas Prokurorisë, Euron Hoti me identitet tjetër kishte siguruar dy kamionë me lëndë drusore me qëllim transportin drejt Gjermanisë, aty ku ishte dhe destinacioni përfundimtar i drogës.

Porosinë e trajlerave me palete e ka bërë Aurel Lazaj dhe një person tjetër, ndërsa pritësi i lëndës narkotike ishte pikërisht Hoti, i cili mbante edhe një emër tjetër, atë të Artan Abasit. Shofer i kamionit ishte Dhimo Koraj, i cili u arrestua në Itali, pasi kamioni me drogë doli nga Porti i Ankonës. Ndërkohë, dy efektivët e Policisë në Portin e Durrësit, Agron Kapllanaj e Gëzim Dervishi, si dhe doganieri Mikail Hila, dyshohet se kanë neglizhuar me detyrën duke lejuar kalimin e drogës, por, sipas Prokurorisë, këto veprime janë kryer me dashje.

Pas kalimit të trajlerit me 2.5 tonë kanabis nga Porti i Durrësit për në Ankona, ku edhe u bllokua për mungesë të dokumenteve, dy prej të bashkëpandehurve të tjerë, Emiljano Çili dhe Artur Rizaj, janë takuar në Ankona, ku janë munduar të zhbllokojnë trajlerin, por nuk kanë mundur të realizojnë qëllimin e tyre.

Pas kësaj, ata kanë kërkuar nga pjesëtarë të tjerë të grupit të cilët ishin në Shqipëri porositjen e një tjetër trajleri me palete, i cili do të shkonte në Ankona dhe aty, ata do të bënin zëvendësimin me atë të ngarkuar me kanabis.

Zëvendësimin e trajlerave e bëri shoferi i arrestuar në Itali, Dhimo Koraj, ndërsa trajnerin me palete në Portin e Durrësit e ka çuar shoferi Demo Progonati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat