Sot, 10 gra me urdhër-mbrojtje

Shqipëria

Sot, 10 gra me urdhër-mbrojtje

Më: 8 mars 2019 Në ora: 15:23
Ilustrim

Sot, më 8 Mars, policia ka lëshuar 10 urdhra-mbrojtje për gratë që dhunohen nga burrat.

Ironia është se në një rast, e dhunuara është një grua e cila kishte urdhër-mbrojtje më parë. Ajo sot do të dilte të festonte me shoqet e saj 8 Marsin, por bashkëshorti theu urdhrin që të mos i afrohej gruas së tij dhe shkoi që ta rrihte.

Nga 3 janari, në Shqipëri kanë marrë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje 428 gra. Shtëpia është një vend i rrezikshëm për gratë shqiptare. Sipas një studimi ndërkombëtar, e gjithë shoqëria shqiptare, edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, është e dhunshme.

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas përkujton lëvizjet gati 1 shekullore për të drejtat e grave dhe përpjekjet e tyre për barazi dhe zhvillim.

Të vetëdijshëm që kjo është një ditë proteste, gratë shprehen se lufta për barazi vazhdon edhe sot të jetë e fortë: “Gratë kanë arritur të drejta, por ende ka për t’u bërë. Jemi ende në përpjekje për barazi. Zëri i gruas sot nuk dëgjohet, ka dhunë duke filluar që nga familja”.

8 Marsi është në fakt një thirrje për të drejtat e grave shqiptare. Për më shumë mundësi në shkollim, punësim dhe dinjitet në familje. Sot është dita për të kujtuar se nënat, motrat dhe gratë duhen nderuar dhe respektuar çdo ditë të vitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat