Elbasan, “Mirënjohje e Qytetit” për aktivisten e të drejtave të grave

Shqipëria

Elbasan, “Mirënjohje e Qytetit” për aktivisten e të drejtave të grave

Më: 8 mars 2019 Në ora: 17:19
Elbasan

Kryetari i bashkisë, Elbasan Qazim Sejdini zgjodhi një mënyrë të veçantë për të uruar gratë e vajzat me rastin e 8 Marsit.

Kryetari i bashkisë, në këtë ditë nderoi një grua, e cila me punën saj, me sakrifica, me përkushtim dhe herë herë duke vënë në rrezik veten, u ka shërbyer mijëra grave të tjera.

Aktivistja për të drejtat e grave dhe mbrojtjen e grave në Forumin e Gruas Elbasan, Dhoksa Gjoka, u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

“Për përkushtim të jashtëzakonshëm dhe pasion të pakrahasueshëm për t’i shërbyer të tjerëve, veçanërisht grave. Një grua që ka kapërcyer vështirësi dhe përmes punës së saj, si aktiviste e palodhur, është shembull frymëzimi për të tjerët”, ishte ky motivacioni për  Gjoka e cila vazhdon të frymëzojë gra të reja për të luftuar fort për të drejtat e tyre.

Si pjesë e Forumit të Gruas në Elbasan, Gjoka është përballur me raste të vështira të cilat kanë kërkuar, jo vetëm ndihmë, mbrojtje, por edhe shumë përkushtim e dashuri. 

Bashkia e Elbasanit ka qenë përherë e angazhuar në mbështetje të shoqatave në misionin e tyre për t’u shërbyer personave që kanë më shumë nevojë. Me mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjithëve mund të garantojmë të drejtat e grave, fëmijëve apo të çdo kategorie vulnerabël. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat