Sekretari gjerman i Drejtësisë: Opozita nuk duhet të vejë në dyshim qeverinë legjitime

Shqipëria

Sekretari gjerman i Drejtësisë: Opozita nuk duhet të vejë në dyshim qeverinë legjitime

Më: 9 mars 2019 Në ora: 10:54
Christian Lange

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka marrë një letër nga sekretari gjerman Christian Lange.

Zyrtari i lartë i Berlinit shkruan ndër të tjera se e ka ndjekur me shqetësim aksionin opozitar dhe siç shprehet ai, PD dhe LSI nuk duhet t’i vënë në dyshim institucionet legjitime të shtetit.

Lange shkon më tej teksa shprehet se qeveria e zgjedhur po e çon Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian.

Sekretarit i Shtetit i Ministrisë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes se Konsumatorit shkruan se reformat e qeverisë meritojnë respektin maksimal të Gjermanisë.

JavaNews sjell më poshtë letrën e plotë drejtuar Gjonajt:

E dashur Ministre,

Ju falenderoj shumë për letrën tuaj të 19 Shkurtit 2019. Sic e dini, jam shumë i interesuar në zhvillimet dhe përparimin e vendit tuaj, por dëshiroj edhe të jem në dijeni të ndonjë problemi. 

I kam ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet aktuale politike në Shqipëri. Ju më njoftuat që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur si opozitë të heqin dorë nga mandatet e tyre parlamentare. Me shqetësim kam lexuar edhe lidhur me protestat në Tiranë, që pjesërisht degraduan në përplasje me policinë. 

Si në cdo vend demokratik, parlamenti duhet të mbetet forumi kryesor ku deputetët shqiptarë zgjidhin konfliktet e tyre politike. Nëse duam të ruajmë atë progres që është bërë në ndërtimin e një rendi të lirë e demokratik, nuk duhet të vihen në pikëpyetje institucionet legjitime të shtetit.

Gjatë takimit tonë në Tiranë, ju më latë përshtypjen e një mbrojtëse të përkushtuar ndaj vendit tuaj dhe ndaj reformave që duhen bërë në fushën e drejtësisë, po ashtu jam i ndërgjegjshëm për punën e madhe që keni bërë ju, Ministria juaj dhe institucionet e drejtësisë në interes të vendit tuaj dhe rrugën që keni ndërmarrë drejt Europës. Pas tërë punës dhe mundimeve, që ne në Gjermani kemi ndihmuar t’i mbështesim përmes projektit EURALIUS, do të na vinte keq nëse Shqipëria nuk do të merrte një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave.

Ndërsa opozita mund të hidhet në sulm, parlamentarët nuk munden, si përfaqësues të zgjedhur, të vënë në dyshim institucionet e ligjshme të shtetit. Si anëtar parlamenti, nuk mund të kuptoj, e padyshim nuk mund të justifikoj, cfarëdolloj veprimi të kundërt. Me qeverinë që kanë zgjedhur, shqiptarët po shkojnë drejt Europës, gjë që meriton respektin tonë maksimal. Duhet të vazhdoni këtë rrugë, në mënyrë që të siguroheni se në fund të gjitha këto mundime do të shpërblehen – procesi i vetingut është vetëm njëri nga shembujt.

Nëse opozita do të tregojë që edhe ata po sillen në mënyrë të përgjegjshme, duhet të dialogojë me qeverinë, ndër të tjera me synimin që të arrijnë një marrëveshje për reformën zgjedhore dhe marrëveshje të tjera për të ndihmuar realizimin e zgjedhjeve të rregullta vendore.

Mund ta marr me mend sa e vështirë duhet të jetë situata aktuale, por dëshirojmë t’ju shtyjmë të vazhdoni në rrugën që keni zgjedhur. Ky drejtim është konstruktiv dhe shpresojmë ta drejtojë vendin tuaj tek një e ardhme më e mirë.

Gjithashtu mendoj se ju dhe qeveria juaj duhet të punoni për të rritur besueshmërinë para zgjedhjeve vendore, për shembull përmes programeve dhe ftesave për të shmangur fushatave të paligjshme përpara ditës së votimit. Një qasje mund të jetë refuzimi për të lejuar kandidatët të konkurrojnë në zgjedhjet vendore nëse nuk i përmbushin kriteret e ligjit të dekriminalizimit dhe parimet e OSBE/ODIHR.

Ministre, ju lutem të jeni e sigurtë për mbështetjen nga ana e Ministrisë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për politikat e reformave në vendin tuaj, dhe me vini në dijeni nëse keni nevojë t’ju ofrojmë ndihmë më specifike.

Sinqerisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat