20 mijë euro dhuratë, dyshime për pasurinë e profesionalizmin e kryegjyqtarit

Shqipëria

20 mijë euro dhuratë, dyshime për pasurinë e profesionalizmin e kryegjyqtarit

Më: 9 mars 2019 Në ora: 15:48
Pamje nga salla

Deklarim të rremë, mosjustifikim të pasurisë dhe shkelje në disa vendime gjyqësore, ishin këto dyshimet e ngritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kryegjyqtarin e Tropojës, Dritan Seci.

Ky i fundit doli këtë të premte në seancë dëgjimore, ndërsa hetimi për të ishte kryer mbi pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës. Treshja e Komisionit, me relator Olsi Komicin, bëri të ditur se për gjyqtarin është konstatuar se nuk ka lidhje me krimin e organizuar, duke dalë në përfundimin se është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës në kriterin e pastërtisë së figurës.

Ndërkohë, për dy kriteret e tjera, nga hetimi i kryer janë konstatuar një sërë problemesh. Hetimi i thelluar i KPK-së ishte përqendruar në apartamentin 76 metra katrorë në Tropojë, të blerë në vitin 2012 për 2.2 milionë lekë. Fillimisht, kjo pasuri sipas Komisionit është deklaruar 2 milionë e 100 mijë lekë, ndërsa në veting është deklaruar 2 milionë e 200 mijë lekë. “Rezulton se ka mospërputhje në deklarimin e çmimit të objektit dhe nga analiza e financiare rezulton se subjekti dhe bashkëshortj nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme për të bërë investimet në vitin 2012”, tha Komici.

Probleme janë konstatuar edhe në lidhje me makinën e blerë në vitin 2004, të cilën gjyqtari e ka deklaruar të blerë për 250 mijë lekë. Por nga hetimi rezulton se ky mjet, në bazë të kontratës së shitblerjes është shitur për 200 mijë lekë. Pra, sipas Komisionit, rezulton se ka mospërputhje mes çmimit të deklaruar në deklaratën veting dhe kontratës. Në lidhje me vitin, deklarohet e blerë në 2004, ndërkohë që sipas kontratës rezulton e blerë në vitin 2005. Gjithashtu, u ngritën dyshime në lidhje me përdorimin e një mjeti me pronar shtetasin A.S.(vëlla i gjyqtarit).

Nga hetimi rezulton se subjekti nuk ka deklaruar përdorimin e makinës së vëllait, as në pyetësor dhe as në deklaratën veting.

FSHEHJA

Në lidhje me përdorimin e një apartamenti në Tiranë, në pyetësorin e KPK-së Seci ka deklaruar se e ka përdorur këtë apartament pa dokumentacion dhe kontratë. Sipas tij, për këtë apartament ka paguar ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike, ndërsa kontratat janë të lidhura në emrin e tij. “OSHEE ka depozituar pranë KPK-së, dokumentacionin e dorëzuar nga vetë subjekti për ndryshimin e emrit të kontratës. Kështu, gjyqtari ka depozituar një kontratë porosi për blerjen e këtij apartamenti, që kishte në përdorim për 50 mijë euro”, shpjegoi relatori.

Ndërkohë, gjyqtari Dritan Seci ka shpjeguar se, është e vërtet që në 2008-ën është lidhur kontrata e porosisë për blerjen e këtij apartamenti, ku ka paguar edhe shumën 4 mijë euro. Por likuidimi i shumës së plotë nuk është bërë asnjëherë, pasi kishte vendosur të merrte një tjetër apartament. “Për shkak të miqësisë, e kam përdorur në vitet 2014- 2015 dhe kontratat e ujit dhe dritave kanë ngelur për shkak të neglizhencës”, është justifikuar Dritan Seci.

“Rezulton se subjekti ka fshehur apartamentin e banimit në Laprakë, të porositur me kontratën e porosisë në vitin 2008, me çmim 50 mijë euro. Kjo pasuri dhe pagesat përkatëse nuk rezultojnë të paguara nga ana e subjektit. Të gjitha këto tregojnë se kemi të bëjmë me një deklarim të rremë, pasi është deklaruar vetëm në përdorim për këto dy vite. Duket se ky apartament banimi vazhdon të jetë ende në përdorim të tij”, tha relatori i çështjes.

DHURIMI

Gjatë hetimit për kryegjyqtarin është konstatuar edhe një deklaratë noteriale në vitin 2014, me deklarues shtetasin me inicialet B.M., se i jepte mikut të tij, ku i referohej gjyqtarit, 20 mijë euro, pa pretendimin që ai t’ia kthente.

Sipas kësaj deklarate, shtetasi B.M. shkruante se shuma i dhurohej për përdorim personal mikut të tij, Dritan Secit. Sipas KPK-së, nga verifikimet ka rezultuar se ky i fundit dhe dhuruesi i shumës se eurove, në ditë të ndryshme kanë udhëtuar me makinën e vëllait të gjyqtarit drejt Kosovës. Ndërkohë, Seci ka deklaruar se nuk ka njohje personale me këtë shtetas. “Referuar hetimit, është krijuar bindja se kemi me një deklarim të rremë, për mosnjohjen e shtetasit B.M. dhe marrjen e shumës 20 mijë euro nga ky person. Kemi mosdeklarim të kësaj shume nga viti 2014 e në vijim”, tha Komici.

PROFESIONALIZMI

Në lidhje me aftësitë profesionale, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dorëzuar një raport me konstatimin se gjyqtari ka aftësi të mira në punë dhe është angazhuar nga ana profesionale. Ndërkohë, nga ana e KPKsë janë shqyrtuar edhe disa dosje, ku në njërën prej tyre, që kishte si objekt zgjidhjen e një martese, është konstatuar mangësi procedurale për vendimin e ndërmjetëm për vendosjen e detyrave për psikologen. “Nuk është administruar raporti i psikologes si provë, ndërsa është konstatuar se brenda një ore, psikologia ka pyetur fëmijën dhe ka përpiluar një raport. Ka dyshime se kjo çështje ka qenë e paragjykuar”, u shpreh Komici.

Për gjyqtarin, ka pasur 12 ankesa, të cilat janë shqyrtuar nga komisioni, në dy prej të cilave janë konstatuar probleme, si zvarritja e procesit dhe një sërë problemesh në procesin gjyqësor. Në një tjetër ankesë, qytetarja pretendon se është zhvilluar një proces gjyqësor pa dijeninë e saj. Nga hetimi i Komisionit është konstatuar se plotësimi i fletëthirrjes për këtë qytetare është bërë gabim dhe Gjykata ka zhvilluar një proces pa dijeninë e saj, duke bërë që qytetarja të humbasë edhe mundësinë për të kundërshtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat