Spiropali komenton memet dhe videon e Ramës me gratë

Shqipëria

Spiropali komenton memet dhe videon e Ramës me gratë

Më: 9 mars 2019 Në ora: 18:54
Elisa Spiropali

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën komentoi vështirësitë e të qenit grua e suksesshme në politikë.

“Është e vështirë të jesh në politikë. Është ndër profesionet më luftarake, të jesh grua është edhe më e vështirë, sidomos në një shoqëri që ka ende tipare patriarkale. Një grua është lehtësisht më e sulmueshme, kryesisht nga ‘burrecët’, sepse burrat e vërtetë nuk sulmojnë gratë.” –u shpreh Spiropali ndërsa theksoi se gjithësisë është bërë një përparim i konsiderueshëm në luftën kundër patriarkalizmit. Si shembull Spiropali solli në vëmendje përfaqësimin politik të gruas në qeverinë ku bën pjesë por edhe në parlament.

Ndër të tjera Spiropali komentoi edhe videon e kryeministrit Rama me gratë në Fier, ku i ftoi të gjitha në vallëzim.

“Ishte një festë e parashikuar në Fier. Besoj ishte një organizim i Bashkisë dhe i PS, dhe kryeministri u gjend aty dhe si gjithmonë i dha një dozë hilariteti dhe festiviteti gjendjes.”- tha Spiropali.

Për ministren Spiropali të ashtuquajturat meme në rrjetet sociale, janë pjesë e lojës.

“Kur i merr përsipër je një person që flet e mban qëndrime, patjetër do kesh edhe sulme, do kesh edhe kundërshti. Ajo që është e papranueshme për të gjithë, janë përpjekjet për të fyer apo denigruar. Që në fakt janë shenjë dobësie. Nuk më prekin, kam gjithnjë besim te vetja. Dhe ajo që bëj është e rëndësishme e kur beson te ajo që ke, gjithçka tjetër është pjesë e lojës. Unë familjen e kam shumë të fortë dhe ata e kuptojnë që sulmet politike janë pjesë e lojës. Në vitet e fundit, përbaltjet fyerje, gjuha politike është rënduar tmerrësisht. Shkonim në parlament dhe kishim frikë se duhet të përlesheshim trup më trup. Në atë Kuvend janë hedhur, vezë, miell, bojë e çizme, ishte një situatë e papranueshme.” u shpreh Spiropali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat