Prapaskenat/ Ja pse u shkarkua Drejtori i Policisë në Fier

Shqipëria

Prapaskenat/ Ja pse u shkarkua Drejtori i Policisë në Fier

Më: 9 mars 2019 Në ora: 23:52
Drejtori i Policisë në Fier

Qyteti i Fierit ishte “kryeqyteti” i vendit këto dy ditë.  48 orët e qëndrimit të kryeministrit Edi Rama në qytetin jugor kaluan me protesta, përplasje, por edhe me ndryshime në kupolën e Policisë së Shtetit në këtë qytet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili edhe priu protestat e opozitës në Fier, thotë se, për kryeministrin Rama nuk ka patur asnjë rrezik.

“Nuk kishte rrezik për Kryeministrin. Policia ndërhyri dhunshëm, e shpërndamë vetë protestën për të mos pasur përplasje. Kryeministri ka ardhur me 30 minuta me vonesë pasi rrinte te ura e Sheqit i rrethuar nga qindra forca policore pa pikë kuptimi. Një kryeministër që ruhet në vendin e vet nga qytetarët e vet, për mua po të kishte moralin më të vogël do të ishte dorëhequr”, u shpreh Baçi.

Lidhur me plagosjen e policit gjatë protestave, Baçi tha në Ora News se gjithçka ka qenë inskenim.

“Shpreh keqardhje, distancohem nga kjo dhunë. Po të dija se ishte një simpatizant, votues, dashamirës i PD, nuk do ta quaja pjesë të PD-së atë që ka bërë një akt të tillë. Por nga informacionet që kam, jam interesuar në spital nga kirurgë dhe më kanë thënë se nuk ka pasur qepje si thonë në portale por gërvishtje nga një mjet i fortë, qoftë dhe gur që ka dalë nga turma. Por nuk e di nëse ka qenë protestues apo i infiltruar për ta bërë një gjë të tillë pasi ka pasur me dhjetëra punonjës policie civilë që qarkullonin në mes të turmës së protestuesve dhe janë të identifikuar. Çdo gjë ka qenë e inskenuar për të krijuar një përplasje”, shtoi kreu i PD-së në Fier.

Duke komentuar transferimin e drejtorit të policisë së Fierit, Baçi thotë se Rama e shkarkoi se nuk i menaxhoi si donte ai protestat.

Kreu i PD-së Fier zbuloi dhe një informacion të fundit, ku të gjithë protestuesit e arrestuar dhe shoqëruar janë liruar për mungesë provash.

“Rezultati? Sot drejtori i policisë së Fierit është shkarkuar nga detyra për arsye se nuk ka arritur të menaxhojë atë që thoshte Edi Rama. Nuk e bëj me faj fare drejtorin e policisë së Fierit se ka bërë çmos për të shpërndarë protestuesit por një masë e tillë nuk mund të shpërndahet në një kohë si e kërkon kryeministri ndaj ka bërë shkarkimin e tij.Kanë marrë në pyetje të gjithë të shoqëruarit në drejtorinë e policisë dhe duke mos pasur asnjë fakt. Drejtori i përgjithshëm i policisë është nisur urgjent drejt Fierit dhe ka ndaluar në mes marrjen në pyetje të protestuesve dhe ka thënë si ka mundësi që po i nxirrni jashtë. Ka parë pamjet filmike dhe nuk po gjejnë as më të voglin problem dhe shkelje të ligjit për ti mbajtur brenda. Nga mesazhi që më vjen të gjithë të shoqëruarit dhe të arrestuarit kanë dalë jashtë në këto momente, janë në kërkim dhe procedim 41 të tjerë”, theksoi Baçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat