Impianti i mbetjeve në Fier; Rama: Do t’i ndërtojmë edhe në qytete të tjera

Shqipëria

Impianti i mbetjeve në Fier; Rama: Do t’i ndërtojmë edhe në qytete të tjera

Më: 10 mars 2019 Në ora: 14:07
Edi Rama

Përfundon faza e parë e projektit për impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier, për të cilin kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit vlerësoi se ky impiant është, sipas standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.

“Një projekt i tillë kthehet në një tabelë qitjeje e fut e bjer kush të mundet: “korrupsion”, “grabitje”, “hajdutëri”, “PPP”, por lum kush duron dhe koha i vë gjërat në vend. Këtu faktikisht hapet perspektiva për të gjitha bashkitë që t’i sjellin këtu mbeturinat dhe të shpëtojë njëherë e mirë edhe mjedisi në të gjithë qarkun nga hedhjet kuturu të mbeturinave, nga vendgrumbullimet kuturu, nga helmimi i ujërave nga helmimi i tokës, nga helmimi i ajrit, nga dëmtimi i shëndetit”, tha Rama.

Ambicia e qeverisë u shpreh kryeministri është ndërtimi të tilla impianteve edhe në qytete të tjera.

“Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë edhe për Durrësin. Edhe aty kemi situatë emergjence mjedisore. Kemi filluar me projektin dhe një tjetër zonë e rëndësishme shpëton njëherë e mirë nga e gjithë çmenduria e plehrave në hapësirë dhe i gjithë ai potencial ndotës shpërbëhet dhe kthehet në një mjedis të mbrojtur me parametra normalë për jetën e njerëzve e turizmin”, shtoi Rama.

Gjatë vizitës në Fier kryeministri Edi Rama sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi pavijonin e ri, i cili shënon qendrën e katërt publike të hemodinamikës që mbulon me shërbim jugun e vendit. Që prej muajit shkurt, në këtë pavion, janë kryer 28 koronarografi, vendimtare për diagnostifikimin e sëmundjeve të rënda të zemrës. Ministrja Manastirliu u shpreh se me çeljen e këtij pavijoni, do të reduktohet ndjeshëm lista e pritjes dhe ulet fluksi i pacientëve që e kryenin këtë ekzaminim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat