Basha: Me Edi Ramën nuk ka Evropë

Shqipëria

Basha: Me Edi Ramën nuk ka Evropë

Më: 10 mars 2019 Në ora: 20:00
Lulzim Basha

Pas një periudhe të gjatë mungese, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar këtë pasdite protestës së banorëve të “Astirit”.

Basha iu është drejtuar banorëve se ka ardhur koha që vendimet t’i marrin vetë ata, ndërsa i ka ftuar t’i bashkohen protestës së 16 marsit.

Ai tha se kryeministri Edi Rama nuk mund të vendosë më për askënd në vend, pasi konsiderohet “i paligjshëm” sipas tij.

“Edi Rama ti nuk merr dot asnjë vendim për shqiptarët. Je i paligjshëm, je ilegjitim. Je po aq legjitim dhe i paligjshëm si kriminelët me të cilët ka marrë pushtetin. Sot nga unaza kam një mesazh për çdo qytetar, ka ardhur koha që vendimet t’i merrni ju, ju duhet të vendosni. Ju duhet të vendosni, siç keni vendosur të nisim së bashku një rrugëtim që na bën bashkë më të vendosur drejt vlerave evropiane dhe drejt Shqipërisë evropiane”.

Sa i takon djegies së mandateve, Basha tha se është vendimi i drejtë, i ligjshëm, patriotik dhe demokratik.

“Djegia e mandateve të opozitës është vendimi më i ligjshëm, demokratik e patriotik i ndërmarrë ndonjëherë. Me këtë vendim ne dolën në krah të popullit, jashtë nga parlamenti i krimit. Me këtë vendim ne kemi marrë një hap historik për t’i dhënë fund një regjimi të kalbur. Ky është vendimi që ne kemi marrë, është vendim i drejtë, është vendimi për të mos qëndruar krah kriminelëve, por për të qëndruar në krah të qytetarëve dhe shqiptarëve”, shtoi ai.

Në fund, kryedemokrati e konsideroi protestën e 16 marsit një takim me historinë dhe triumf i shqiptarëve të bashkuar.

“Ju ftoj të gjithëve në 16 mars, kemi një takim me historinë dhe ajo nuk do të jetë historia e triumfit të së keqes, por do të jetë historia e triumfit të shqiptarëve të bashkuar. Mos mungoni në takimin tuaj me historinë në 16 mars. Të gjithë bashkë do ta hapim derën e mbyllur të Evropës. Me Ramën nuk ka për të pasur Evropë”, nënvizoi kreu i opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat