PD parlajmëron arrestimin e ish-deputetit të PS-së, Arben Çuko

Shqipëria

PD parlajmëron arrestimin e ish-deputetit të PS-së, Arben Çuko

Më: 11 mars 2019 Në ora: 11:54
Foto

Partia Demokratike pretendon se Policia e Shtetit ka një listë me mbi 80 persona, që pritet të arrestohen sipas tyre, për protestën e dhunshme në 9 mars, në qytetin e Fierit ku kryeministri Rama ishte për një sërë aktivitetesh. Kryetari i degës së PD-së në Fier, Luan Baçi, ka publikuar një listë që sipas tij janë emrat që Policia do të arrestojë.

Mes emrave që PD publikon janë ish deputetë, si Kejdi Mehmetaj e LSI e cila ishte në protestën e Fierit, apo edhe Arben Çuko ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili ra edhe në prangat e policisë për korrupsion gjatë kohës që ishte Drejtor i Burgjeve, dhe u lirua nga Gjykata e Apelit.  

Nuk dihet pse PD-ja ngre pretendim për arrestimin edhe të ish-deputetit të PS-së, në qarkun e Fierit, Arben Çuko, kur deri më tani ai nuk është pikasur në asnjë moment nga kamerat të ketë qenë i pranishëm në tubimin kundër Ramës.

Sipas PD-së, Luan Baçi ka siguruar listën e policisë me mbi 80 emra dhe akuzon policinë se kërkon të arrestojë edhe qytetarë që nuk kanë qenë në protestë për t’u futur frikën të tjerëve për të frenuar pjesëmarrjen në protestën e 16 Marsit që opozita joparlamentare do të mbajë para Kryeministrisë.

“Protestuesit janë me mijëra. Ku do t’i mbani? A ka vend në burgjet tuaja për të gjithë popullin?”- shprehet Luan Baçi, i cili e cilëson aksionin e policisë një hakmarrje politike të Edi Ramës .

“I bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, mos i terrorizoni qytetaret fierakë. Ata protestuan për më shumë  punë, siguri, për  varfërinë e tyre dhe arsyeja e vetme është ky Kryeministër ilegjitim”, thotë Baçi

Të shtunën PD organizoi protestë në Fier, kundër vizitës së kryeministrit Rama në këtë qytet. Pati përleshje dhe një polic i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë mori goditje të rënda në kokë pasi u qëllua me tullë nga protestuesit. Disa prej tyre u arrestuan edhe vetë dhunuesi, i cili rezultoi të ishte Pëllumb Isufaj 56 vjeç me detyrë inspektor mjedisi në Bashkinë e Mallakastrës. Në listën që PD pretendon se janë emrat që policia do të arrestojë, është edhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat