Zgjedhjet vendore/ Zbulohen kandidatët e PS-së për bashkitë. Ja emrat

Shqipëria

Zgjedhjet vendore/ Zbulohen kandidatët e PS-së për bashkitë. Ja emrat

Më: 11 mars 2019 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Kur duhen dhe dy javë deri në shpalljen zyrtare të emrave të kandidatëve në kongresin e 23 marsit, gazeta “Panorama”konfirmon emrat e 27 kandidatëve, të cilët rikandidojnë apo kandidojnë për herë të parë.

Deputeti Pjerin Ndreu do të kandidojë për Bashkinë e Lezhës, e cila aktualisht drejtohet nga Fran Frrokaj i PD-së; Flamur Golemi në Gjirokastër, e cila drejtohet nga Zamira Rami e LSI-së; Ilir Xhakolli në Pogradec, që drejtohet nga Eduard Kapri i PD-së; Safet Suli në Kamzë, që drejtohet nga Xhelal Mziu i PD-së; dhe Nuri Belba për Bashkinë Përrenjas, që aktualisht drejtohet nga Miranda Rira e LSI-së. Kjo do të thotë se ata do të dorëzojnë mandatin për t’u lënë vendin pesë emrave të rinj nga lista e kandidatëve për deputetë të PS-së në zgjedhjet e 2017- ës.

Deputetët e zgjedhur nga këto zona kanë kohë që kanë nisur nga puna për fitoren e 30 qershorit. Ish-zëvendësministri i Arsimit, Ervin Demo, i cili dha dorëheqjen pas bërjes publike të doktoraturës së tij si plagjiaturë, do të garojë për Bashkinë e Beratit. Pas dorëheqjes, vetë Demo u shpreh se do të kontribuonte për PS-në në sfida të tjera.

Një shqetësim mbeten për Partinë Socialiste dy bashkitë e mëdha të vendit, siç është ajo e Durrësit dhe e Shkodrës. Burime thanë se ende nuk është përcaktuar emri i atij që do të zëvendësojë Vangjush Dakon, i cili e drejtoi këtë bashki për tri mandate. Edhe pse u projektua si një kandidate potenciale për të garuar për Bashkinë e Shkodrës Senida Mesi, ish-zëvendëskryeministrja e qeverisë “Rama 2”, duket se nuk ka kaluar pozitivisht sondazhet e bëra në këtë bashki nga PS-ja.

Bashkia e Sarandës ende nuk e ka të përcaktuar kandidatin e saj. Në garë janë disa emra, ku pretendentë mbeten deputeti aktual i PS-së, Alket Hyseni, dhe nënprefekti i Vlorës, Adrian Gurma. Në garë mbeten dhe Floriana Koka dhe Stefan Çipa. Mësohet se PS-ja brenda kësaj jave do të kryejë sondazhet e fundit dhe do të vendosë për kandidatin e saj.

Në Bashkinë e Delvinës, PS-ja do të kandidojë Filip Xuzin, i cili aktualisht është drejtori i Postës shqiptare në Sarandë. Xuzi do të ketë përballë me shumë gjasa kryetarin aktual në këtë bashki, Rigels Balilin, i cili gëzon një mbështetje të fortë në zonë për shkak të mbiemrit që mban.

RIKONFIRMIMET

Kryeministri Rama ka nisur të rikonfirmojë disa nga bashkiakët e tij për një tjetër mandat për zgjedhjet e 30 qershorit. I fundit ishte Armando Subashi për Bashkinë e Fierit, për një mandat të dytë. Pak ditë më parë, kreu i qeverisë në takimin me Asamblenë e PS-së së Tiranës, i pyetur nga një anëtar i saj, rikonfirmoi Erion Veliajn për një mandat të dytë në këtë bashki.

Por rikonfirmimet kanë nisur bashkë me turin “Bashkia që duam”, ku gjatë takimeve me qytetarët, pas vlerësimit të punëve që janë kryer në këto bashki gjatë katërvjeçarit që po mbyllet, ai ka mbështetur kryebashkiakët aktualë për një mandat tjetër. Këtë e nisi me Korçën, kur u shpreh se Sotiraq Filo do të vijojë projektet për Bashkinë e madhe të Korçës, po ashtu dhe në Vlorë.

Ndërsa gjatë takimit me banorët e Lezhës, kreu i qeverisë konfirmoi Pjerin Ndreun kandidatin e PS-së për këtë bashki. Pasi Qazim Sejdini u tërhoq për një mandat tjetër në krye të Bashkisë së Elbasanit, Kryeministri emëroi Gledian Llatjen, prefekt i qarkut, i cili ka nisur nga puna në terren si kandidati socialist për këtë bashki. Safet Gjici do të jetë kandidati i Partisë Socialiste në Bashkinë e Kukësit.

Ai është dhe i deleguari i vetëm politik i Kryesisë së PS-së në këtë bashki, i cili është marrë me strukturat e saj në funksion të zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjithashtu, rikonfirmohen për një tjetër mandat Kastriot Gurra në Librazhd, Tërmet Peçi në Tepelenë, kryetari i Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, Drec Dedaj në Mirditë, Fredi Kokoneshi në Divjakë, Arif Tafani në Belsh etj..

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat