OST, 100 mln euro “PPP” e fshehur për remontin e linjave

Shqipëria

OST, 100 mln euro “PPP” e fshehur për remontin e linjave

Më: 12 mars 2019 Në ora: 20:53
Pamje nga video

Operatori i Transmetimit të Energjisë kërkon të realizojë 100 milionë euro investime në rrjet, përmes një procedure të veçantë me kredi të garantuar nga një kompani private.

Procesi ka nisur zyrtarisht në datën 28 dhjetor të vitit të kaluar, nga ish-administrori i OST-së, Klodian Gradeci, më vonë i shkarkuar pas skandalit të “DH Albania”-s.

Përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Financave, asaj të Energjisë dhe Entit Rregullator, OST-ja ka kërkuar “dritën jeshile” për të kontraktuar një kompani private, e cila do të bëjë ndërhyrjet në të gjithë rrjetin vendas të transmetimit me paratë e veta, e më pas do të shlyhet për 15 vite. Por, OST-ja thotë se ky nuk është koncesion.

“Procedura, e cila kërkohet të ndiqet nuk është PPP, por do të realizohet nëpërmjet marrjes së një huaje tregtare (pa garanci sovrane) nga të tretë, hua e cila do të sigurohet nga kompania, e cila do të fitojë edhe realizimin e këtij investimi”, thuhet në shkresën e OST-së.

Pra, privati do të marrë 100 milionë euro hua në bankë me interesa tregtare, do të bëjë po vetë punimet, e në fund shteti shqiptar do të shlyejë faturën.

Por çfarë qëndron pas projektit? Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për një kompani kineze, e cila vjet ka pasur kontakte të vazhdueshme me OST-në, e madje edhe me Ministrinë e Energjisë. Madje është kjo kompani që ka bërë studimin e rrjetit, duke përcaktuar pikat se ku duhet ndërhyrë dhe faturën e investimeve.

Aktualisht, projekti është në Ministrinë e Energjisë dhe asaj të Financave, por deri më tani nuk ka marrë ende aprovimin. Mbetet e paqartë nëse Ministria e Energjisë do të vazhdojë me procedurën kontroverse, e cila ngjan me një koncesion të ri, këtë herë 100 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat