Ministria e Drejtësisë, bashkëpunim institucional me Fakultetin e Drejtësisë

Shqipëria

Ministria e Drejtësisë, bashkëpunim institucional me Fakultetin e Drejtësisë

Më: 13 mars 2019 Në ora: 15:09
Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, duke folur për pr/ligjin për rinovimin e konvikteve dhe kampusit universitar u shpreh se ky ligj vjen edhe në kuadër të Paktit për Universitetin.

Sipas ministres Gjonaj, pavarësisht se qeveria ka pasur në fokus te studentët, protesta e dhjetorit konfirmoi se duhej një angazhim edhe më i madh në drejtim të studentëve. “Kërkesat e studentëve treguan se duhet të kishte pasur vëmendje më shumë drejt universitetit. Prandaj dhe duhej ndërhyrja e qeverisë dhe kësaj mazhorance për kërkesat e studentëve”, tha Gjonaj.

“Pakti për Universitetin përmban masa konkrete, jo vetëm për plotësimin e kërkesave të studentëve, por dhe një sërë problemesh të tjera, që lidhen me infrastrukturën e konvikteve, transparencën dhe të gjitha problematikat që dolën në pah nga protestat e studentëve”, tha Gjonaj

“Pakti, sipas saj, është një instrument në letër për të plotësuar jetën studentore. Secili nga ne ka eksperiencat e tij në bashkëpunim me universitetin, por tashmë kemi bashkëpunim të institucionalizuar. Ne si Ministri e Drejtësisë kemi marrë në patronazh fakultetin e drejtësisë.  Pas analizimit të nevojave të identifikuaka nëpërmjet zhvillimit të anketimeve periodike, mbi bazën e paktit u përgatit një marrëveshje bashkëpunimi që do nënshkruhet dhe do vihet në zbatim në ditët në vijim”, tha Gjonaj.

“Marrëveshja parashikon programe punësimi për ekselentët, intership për të tjerët, po ashtu për angazhimin e plotësimit të bibliotekës online. Qëllimi është të fitojnë të dy palët, ne përfitojmë nga ekspertiza shkencore e stafit pedagogjik dhe studentëve. Nga ana tjetër fakulteti, ku studentët dhe pedagogët përfitojnë mbështetje buxhetore, promovimin e studentëve më të mirë apo shtresës vulnerabël, si dhe mbështetjen financiare për kërkime të ndryshme shkencore”, shtoi Gjonaj.

Ministrja nënvizoi se, prova që pakti nuk është thjesht një dokument në letër është punësimi në administratë i 373 studentëve ekselentë. “Tashmë pakti i ka dhënë provat konkrete, dje 373 studentë ekselentë u bënë pjesë e administratës përmes portalit “Punëtëmbarë.al”. Unë sot e nisa punën duke prezantuar 30 studentët e ekselencës që u punësuan në ministrinë e drejtësisë dhe institucionet e varësisë”, tha Ministrja Gjonaj në fjalën e saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat