Diplomati komenton mesazhin e Zaev për opozitën: Leksion i nxituar

Shqipëria

Diplomati komenton mesazhin e Zaev për opozitën: Leksion i nxituar

Më: 13 mars 2019 Në ora: 20:58
Arben Çejku

Një leksion të nxituar. Kështu e cilëson  ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku,këshillën e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev drejtuar opozitës shqiptare.

I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Rtv Ora, Çejku vlerëson se edhe Zaev nuk ka shkëlqyer me opozitarizmin e tij, duke i kujtuar 1 vit e gjysmë bojkot.

Por për diplomatin gjithë çfarë tha Zaev plotësoi tablonë e një vizitë më tepër politike sesa shtetërore.

Çejku: Nuk kemi çfarë të mësojmë shumë nga opozitarizmi i Zaev pavarësisht se u përpoq që në krah të mikut të tij edhe ideologjik, pasi të dy janë kryeministra të së majtës, ti ofrojë një lloj ndihme edhe si leksion politik për opozitën. Mendoj se ishte një leksion i nxituar pasi pavarësisht problemeve që ka pasur qeveria Gruevski edhe opozita e Zaevit është një opozitë që është kritikuar në Maqedoni.

 Zaev nuk hyri në Parlament për më shumë se 1 vit e gjysmë, nga prilli i 2014 deri në shtator-tetor të 2015. Nuk është se ka shumë leksione në Ballkan për të ofruar kur është fjala për kriza politike. Precedenti i krijuar në Shqipëri nuk është i ngjashëm me atë të Maqedonisë dhe kriza në Shqipëri kërkon një qasje tjetër specifike. Kjo në këndështrimin tim plotësoi tablonë e një vizite gati më shumë politike sesa një takim shefash të ekzekutivit.

Lidhur me idenë për një treg të përbashkët në Ballkan, Çejku deklaron se  kostoja e korrupsionit politik në Maqedoni, Shqipëri dhe vendet e tjera e pengon krijimin e hapësirave më të mëdha për bashkëpunimin mes tregjeve dhe popujve.

Këtu ai solli në vëmendje edhe faktin se ka katër vjet që flitet për një pikë të përbashkët në Qafë-Thanë dhe ende asgjë konkrete.

Cili ishte mesazhi i Zoran Zaev për opozitën shqiptare

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, bëri thirrje për dialog mes qeverisë dhe opozitës me qëllim zgjidhjen e krizës ku ndodhet vendi për të mos penguar çeljen e negociatave me BE-në.

Zoran Zaev: Përvoja na dëshmoi se dialogu dhe bashkëpunimi i arsyeshëm përmes të gjithë aktorëve në shoqëri sidomos përmes qeverisë dhe opozitës. E konsiderojmë se kjo është mënyra për të ecur përpara dhe të realizojnë qëllimin e tyre strategjik europian. Këtu vijmë si miq dhe japim mesazhin miqësor të gjithë faktorëve të Shqipërisë që përmes dialogut të kenë zgjidhje, sepse unë nuk isha në opozitë para 100 vitesh por para 21 muajsh dhe asnjëherë nuk lejuam që para institucioneve europiane të japim përshtypjen se jemi kundër fillimit të bisedimeve me BE-në.          

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat