Fotolajm: Opozita derë më derë për të ftuar shqiptarët në protestë

Shqipëria

Fotolajm: Opozita derë më derë për të ftuar shqiptarët në protestë

Më: 14 mars 2019 Në ora: 14:37
Foto

Opozita nuk protestoi dje para Kuvendit, por u mjaftua vetëm me disa simbolika kundër mazhorancës, por dhe që ironizonin deputetët që kanë pranuar mandatet, ku nuk munguan shashkat dhe kapsollet, në oborrin e Kuvendit.

Gjithçka i është lënë së shtunës, ku opozita ka paralajmëruar protestën më të madhe që është zhvilluar vitet e fundit.

Prej ditësh tashmë krerët më të lartë të saj kanë zhvilluar takime me biznese dhe qytetarë në të gjithë vendin duke iu bërë thirrje për të marrë pjesë në protestën e 16 marsit në Tiranë.

Për opozitën me 16 mars do jetë fundi i qeverisë dhe se me 17 për Shqipërinë do të nisë një histori e re, dhe për këtë arsye ata i ftojnë shqiptarët që të gjithë në orën 11:00 të paradites të jenë të gjithë në sheshin para Kryeministrisë aty ku do të shkruhet historia.

Dhe përveç thirrjeve përmes medieve, apo edhe rrjeteve sociale, opozitarët kanë ndërmarrë edhe një nismë të fundit për të sensibilizuar qytetarët për t’u bërë pjesë e kësaj proteste, duke shpërndarë fletëpalosje në derë më derë, në të cilat renditen të përmbledhura dhe arsyet se pse shqiptarët duket të jenë në Protestë të shtunën.

Image

Mesazhet te Kuvendit

Mjediset jashtë Kuvendit ishin mbushur dje me “trakte” kundër deputetëve që tradhtuan Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Të rinjtë e FRPD-së kishin vendosur në hyrje të Parlamentit disa parulla kundër Lefter Maliqit dhe Ligoraq Karamelos. Ironia të rinjve ka shkuar deri aty sa që në rastin e Maliqit e kanë shpallur si një ftesë në dasmë me Kryeministrin Edi Rama.

Pas “provokimeve” me shashka e gurë në oborrin e Parlamentit dhe pankartave me mesazhe thumbuese për deputetët e rinj, demokratët nuk janë ndalur me kaq. Ndërsa Kuvendi vijonte punimet, mbi kokat e policëve që ruajnë godinën është ngritur një dron që mban varur një pankartë me mesazhin: Parlamenti i krimit. Megjithëse nuk ishte paralajmëruar asnjë protestë nga ana e opozitës, policia e Tiranës mori gjithë masat për të shmangur ndonjë incident të mundshëm, ku rreth 300 punonjës policie u angazhuan në ruajtje të Parlamentit, ku bënin pjesë forcat “Shqiponja” dhe FNSH.

Pas ironive dhe pankartave thumbuese ndaj deputetëve të rinj, të cilët u betuan dje para kreut të Legjislativit, Gramoz Ruçit, Policia e Shtetit shoqëroi një anëtar të FRPD-së në komisariat, i cili u mor në pyetje për veprimet para godinës së Parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat