Fshehu dënimin, Reagon Ylli Shehu: Sulm nga LSI, jam gati të bashkëpunoj me Prokurorinë

Shqipëria

Fshehu dënimin, Reagon Ylli Shehu: Sulm nga LSI, jam gati të bashkëpunoj me Prokurorinë

Më: 15 mars 2019 Në ora: 18:48
Ylli Shehu

Deputeti Ylli Shehu ka reaguar pas zbulimit të dënimit nga gjykata e Korçës, të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit për efekt të ligjit të dekriminalizimit.

Në një postimi në facebook, Shehu e ka cilësuar atë si sulm nga LSI-ja, ndërsa shton se është gati të bashkëpunojë me Prokurorinë. “I gjithë ky sulm bëhet për të dekurajuar kolegët dhe koleget e tjera që janë në proces të marrjes së mandatit”. Megjithatë, thotë ai, është gati që të bashkëpunojë me prokurorinë.

Postimi i plotë:

Nuk kam asnjë dyshim që prej ditës kur vendosa të marr mandatin e deputetit, do të kthehesha në shënjestër të sulmit të partisë për të cilën unë bëra fushatë në vitin 2017. Por dua t’ua bëj të qartë që unë kam qenë në Parlament në vitin 2015 kur e kam votuar Ligjin për Dekriminalizimin dhe e di fare mirë kush janë detyrimet e mija si subjekt deklarues dhe se dekriminalizimi ka në thelb dënimet me burg, jo gjobat.

Çdo kush e kupton se po të kisha deklaruar një gjobë administrative, nuk rrezikoja asgjë, pasi dënimi nuk hyn në kategorinë e veprave që përbëjnë kushte për të mos u zgjedhur. Pra, logjikshëm, unë nuk mund të kem fshehur me qëllim një gjë që nuk më dëmtonte. Madje shikoni formularin dhe aty gjendet një dënim me gjobë edhe pse nuk ka qenë detyrim.

Për të gjithë ata që fërkojnë duart nga kjo situatë, kujtoj se gjobitja është bërë në vitin 2008, dhe në vitin 2015-2017 kur kam qenë deputet, unë i jam nënshtruar verifikimit në bazë të ligjit të dekriminalizimit, dhe kam rezultuar i pastër. Edhe nëse ky rast do të përbëjë arsye për një rikontroll, shpreh gatishmërinë time për të bashkëpunuar me çdo institucion ligjzbatues para të cilëve asgjë s’kam për të fshehur. I gjithë ky sulm bëhet për të dekurajuar kolegët dhe koleget e tjera që janë në proces të marrjes së mandatit. Unë jam shumë i qetë dhe i përgjegjshëm për detyrën që kam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat