Sulmi në Zelandën e Re, Blendi Fevziu: Dënim kujtdo që keqpërdor emrin e Heroit tonë Kombëtar

Shqipëria

Sulmi në Zelandën e Re, Blendi Fevziu: Dënim kujtdo që keqpërdor emrin e Heroit tonë Kombëtar

Më: 15 mars 2019 Në ora: 23:07
Blendi Fevziu

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” Blendi Fevziu ka dënuar aktin e rëndë terrorist që ndodhi në Zelandë të Re, ku u vranë 49 besimtarë myslimanë brenda një xhamie.

Në një postim në rrjetet sociale, gazetari Fevziu shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave dhe shkruan se kushdo që keqpërdor emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, duhet të marrë dënimin e merituar.

“Dhimbje për viktimat e pafajshme të masakrës në Zelandën e Re. Dënim për çdo tendencë të urrejtjes fetare, etnike apo të çdo lloji tjetër. Solidaritet me të gjithë ata qe sot janë bashkuar kundër dhunës dhe për ndëshkimin e autorëve dhe frymëzuesve të saj. Dënim për çdo kriminel që keqpërdor emrin e heroit tonë kombëtar në një akt të tillë”, shkruan gazetari Blendi Fevziu.

Ky reagim i drejtuesit të “Opinion” vjen pasi në mediat botërore u publikua foto e armës së autorit që kreu masakrën mbi besimtarët myslimanë, mbi të cilën kishte ndër të tjera mbishkrimin “Skanderbeg”.

Autori i masakrës, 28-vjeçari i quajtur Brenton Tarrant, u arrestua nga policia teksa po përpiqej të largohej nga një prej xhamive. Ai hapi zjarr me breshëri arme në dy xhami të ndryshme, duke lënë të vdekur 49 persona dhe 48 të tjerë u plagosën. Policia e Zelandës së Re arrestoi më pas edhe 3 persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtor të autorit të masakrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat