Vrasja dhe varrosja në parcelën me hashash, “Piku” u ekzekutua për 50 kg lëndë narkotike

Shqipëria

Vrasja dhe varrosja në parcelën me hashash, “Piku” u ekzekutua për 50 kg lëndë narkotike

Më: 16 mars 2019 Në ora: 09:17
Piku Hysa

Hysni Rama dhe Agron Tufa, dy personat që ekzekutuan dhe më pas varrosën në parcelën me hashash Kejvi Hysën, janë marrë të pandehur dhe çështja kundër tyre shumë shpejt do i kalojë gjykatës së Krujës për gjykim. Çështja penale është administruar nga prokurori Petrit Cano, i cili gjatë fazës hetimore ka arritur të mbledhë një sërë provash të pakundërshtueshme për vrasjen e Kejvi Hysës. Sipas dosjes së prokurorisë, Hysa u qëllua me një plumb në kokë, pas debateve të ashpra me dy autorët e krimit Rama dhe Tufa, për punën e borxheve financiare dhe hashashit.

“Shqiptarja” zbardh sot të plotë dinamikën e borxhit financiar që Rama i kishte Hysës dhe dinamikën e vrasjes së këtij të fundi, brenda një parcele të mbjellë me hashash.

Viktima Hysa, që ishte në kërkim policor për vrasjen e Edmond Theodhorit në Sarandë, qëndronte krejt i lirë në zonën e Laçit, Fushë-Krujës dhe Tiranës, qytet ku kishte marrë dhe një shtëpi me qira. Ky fakt i konstatuar gjatë hetimeve të prokurorisë së Krujës, tregon edhe një herë tjetër se strukturat policore kanë qenë në gjumë të thellë ose nuk kanë dashur ta arrestojnë Hysën e akuzuar për vrasje nga prokuroria e Sarandës.

Hetimet e kryera nga prokuroria e Krujës tregojnë se viktima njihej me disa emra në zonë si Kejvi Hysa, Elion Hysa dhe Piku Hysa, ose “Piku Fajdexhiu”,për shkak se merrej dhe me dhënien e parave me fajde. 34-vjeçari që gjykohej në Sarandë për akuzën e vrasjes, qëndronte i lirë në këtë zonë, dhe se ndalonte askush edhe pse bënte aktivitet kriminal në fushën e tregtimit të drogës dhe administronte një lokal, të quajtur bar “Nikla”.

Pikërisht në këtë lokal është njohur dhe me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në banesën e tij. Për këtë shërbim, Hysni Ramën e paguante 100 deri në 200 euro. Por hera e fundit që i ka dhënë 50 kg drogë për ruajte, nuk ka qenë e suksesshme, pasi sipas pretendimit të Hysni Ramës, sasia e drogës i ishte vjedhur nga persona të paidentifikuar.

Kur është vënë në dijeni të këtij fakti, Kejvi Hysa, është tërbuar dhe ka filluar presionet shantazhet dhe kërcënimet për vrasje, nëse Rama nuk i jepte 15 mijë euro.

Ata kanë lënë një takim të fundit për t’u sqaruar dhe dhënë një pjesë të parave, dhe Hysni Rama i ka thënë se kishte arritur të grumbullonte vetëm 1 milion lekë të vjetra Kejsi është revoltuar dhe ka bërtitur “Me kë tallesh ti?” dhe pas kësaj ka filluar ta shajë me fjalë fyese në adresë të familjes. Në këtë moment janë përleshur dhe Kejsi, ka nxjerrë pistoletën ja ka vënë në kokë dhe e ka detyruar të shkojë në drejtim të parcelës, ku ishte kultivuar bima narkotike. Mbasi ka ecur disa metra sipas të ndaluarit është dëgjuar një e shtënë arme dhe Kejsi ka rënë në tokë. Në këtë moment ka parë Agronin me një pushkë në dorë. Duke ju drejtuar Agronit i ka thënë “ç’na bëre, ku do shkojmë tani?” por Agroni i është përgjigjur “Po tregove do të vras edhe ty dhe fëmijët se po e morën vesh njerëzit e Kejsit, do të na vrasin të dyve”

Në këto kushte kanë rënë dakord të dy që kufomën ta groposnin. Automjetin e Kejsit nuk e lëvizën nga vendi dhe së bashku me Agronin pas vrasjes shkuan për të luajtur bilardo me shtetasit Ismail Tufa dhe Drilon Tufa. Prej këtej kanë shkuar në shtëpinë e Agronit ku kanë ndarë eurot dhe pastaj Hysniu ka shkuar në shtëpinë e tij për të fjetur.

Eurot ja ka dhënë të shoqes, pa i treguar se ç’kishte ndodhur por duke i thënë se i kishte fituar nga shitja e lëndës narkotike dhe i ka kërkuar që ti çonte në shtëpinë e babait të saj A.Dema. Sendet e tjera i ka fshehur në hyrje të shtëpisë së tij poshtë një blloku betoni.

Nga hetimet rezulton se pas vrasjes vëllai i Kejvi Hysës dhe disa nga familjarët e tij, e kanë detyruar Ramën të hipi në makinë, duke i bërë presion të tregonte të vërtetën për vëllanë e tyre. Por fatmirësisht, Agron Tufa, ka njoftuar policinë dhe Rama është lënë i lirë, sapo personat kanë parë prezencën e policisë. Një pjesë e përgjegjësisë së kësaj ngjarje bie dhe mbi unifromat blu të zonës, të cilat nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë dhe arrestojnë të kërkuarin për vrasje Kejvi Hysa, që qëndronte në zonë krejt i lirë dhe pa u shqetësuar nga askush dhe që me vete mbante një pistoletë e radio policie. Ndërkohë njëri nga autorët Hysni Rama pas krimit të rëndë është vetëdorëzuar në policinë e Krujës, pasi të vërtetën më parë ja kishte treguar motrës dhe gruas e familjarëve të tjerë. Ndërkaq është provuar se autori kryesor i vrasjes së Kejvi Hysën, Agron Tufa, është larguar në Greqi, ku i fshihet drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat