Shoqërohen në polici 15 persona, mes tyre Luan Baçi dhe djali i tij

Shqipëria

Shoqërohen në polici 15 persona, mes tyre Luan Baçi dhe djali i tij

Më: 16 mars 2019 Në ora: 17:18
Foto

Pas mbylljes së protestës, e cila zgjati për rreth 4 orë, policia e shtetit ka nisur shoqërimet e para, ku 15 prej tyre janë dërguar në komisariatet e kryeqytetit. Mes të shoqëruarve është dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të qarkut të Fierit, Luan Baçi dhe djali i tij. Shoqërimin e kreut të PD-së Fier, PD e quan hakmarrje të Edi Ramës ndaj Fierit. Zhvendosja e protestës para parlamentit nga policia e shtetit është konsideruar e paligjshme, pasi sipas tyre nuk është lajmëruar më parë.

Partia Demokratike publikon pamjet e momentit kur është shoqëruar nga policia kryetari i PD-së së Fierit Luan Baçi dhe djali i tij. Partia Demokratike e quan "hakmarrja të Edi Ramës"

Gazetarët e TV Ora informojnë se deri tani janë shoqëruar 15 persona në polici.  Për tu njohur me situatën, në policinë e Tiranës kanë shkuar ish-deputetët e PD-së Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj.

Ndërkohë policia e shtetit informon se menjëherë pas mbylljes së tubimit, "në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë," u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

"Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune."

Nga ana e saj policia e shtetit informon se tubimi ishte i paligjshëm

"Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën" thuhet në një deklaratë të policisë së shtetit.

Gjatë tubimit, sipas policisë janë lënduar 3 punonjës policie, ndërsa edhe mes protestuesve pati të lënduar. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë mbërritur dhe punonjës policie të rretheve të cilët po ndihmojnë për identifikimin e protestuesve që dyshohet se kanë shkaktuar dhunë ndaj uniformave blu.

Pas analizimit të pamjeve filmike në kamerat e vendosura tek kryeministria, por dhe para parlamentit, pritet të ketë dhe shoqërime të tjera në radhët e protestuesve.

Pas shoqërimit të protestuesve ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili deklaron se policia e shtetit u vu në shënjestër të dhunës ndaj Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në policinë e Tiranës ka mbërritur dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat