Damian Gjiknuri merr postin e rëndësishëm në PS, kryeson reformën zgjedhore

Shqipëria

Damian Gjiknuri merr postin e rëndësishëm në PS, kryeson reformën zgjedhore

Më: 18 mars 2019 Në ora: 12:23
Damian Gjiknuri

Pas shkarkimit si ministër i Energjetikës, deputetit Damian Gjiknurit, i është besuar detyra e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, post i cili do të koordinojë në punën për reformën zgjedhore.

Propozimi i kryeministrit Edi Rama mori votat unanime sot në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste. Më herët këtë detyrë e mbante Bledi Çuçi, po për shkak të emërimit të tij si ministër i Bujqësisë, tashmë posti i është besuar Gjiknurit.

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, shprehu besimin se edhe deputetët e rinj të opozitës, do të kontribuojnë për reformën zgjedhore.

"Gjiknuri është zgjedhur drejtuesi i një procesi të rëndësishëm që kam besim që në kuvend me deputetët e rinj të opozitës, me të gjitha partitë të çojmë në një draft përfundimtar të reflektojë rekomandimet e OSBEE, dhe të ketë certifikimin e ODIHR. Misioni i ODIHR është në Tiranë, nesër do të ketë takime me partitë politike", tha Balla.

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit po afrojnë tha Balla, duke shtuar se po bëhen të gjitha përgatitjet për këtë proces. Ai tha se ka besim se edhe Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk do t'i bojkotojë ato, pasi duhet tu përgjigjet votuesve të saj.

Shumë shpejt tha Balla do të kemi gati emrat e 61 kandidatëve për të garuar në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Për listat, - tha ai - konsultat janë bërë me qytetarët për të zgjedhur emrat që i përfaqësojnë ata më së miri.

Më 23 maj Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin e partisë, ku pritet që ndër të tjera, të shpallet edhe lista e këshilltarëve bashkiakë vetëm për Tiranën, ndërsa këshilla e kryeministrit Edi Rama nga mbledhja e kryesisë, ishte që të nisin diskutimet nëpër bashki për përzgjedhjen e kandidaturave për këshillin bashkiak në të gjitha qarqet.

Në kongres pritet të bëhet prezantim edhe i disa kandidatëve si modele të suksesshme të qeverisjes lokale të PS-së, por nuk do ketë miratim të një liste të plotë kandidatësh.

Tre shtyllat ku do të mbështeten diskutimet në kongres janë; shembujt e qeverisjes lokale, bashkëqeverisja dhe Pakti për Universitetin.

Kongresi do të jetë i ndarë në tre sesione të ndryshme ku fjalën kryesore do ta mbajë kreu i qeverisë, Edi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat