Tritoli në shtyllën e tensionit, reagon PD: Neveri për propagandën e Edi Ramës

Shqipëria

Tritoli në shtyllën e tensionit, reagon PD: Neveri për propagandën e Edi Ramës

Më: 18 mars 2019 Në ora: 17:40
PD

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në Fushë Krujë. Mësohet se tritoli i është vendosur shtyllës së tensionit të lartë pranë fabrikës së çimentos.

Për ngjarjen ka reaguar më herët edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënëse e Qeverisë Elisa Spiropali. Ajo shkruan në “Twitter” se dihet se kush iu bie shtyllave nga tërbimi i dëshpërimit, e njëjta dorë sipas saj e sherreve dhe rrëmujave.

Ndërsa Taulant Balla përmes një postimi në Facebook, tha se aktet e dhunës janë të komanduara nga Basha dhe Berisha, sikurse rikthimi i sotëm tek tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, synojnë të nxijnë fytyrën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.

Lidhur me këto akuza ka reaguar Partia Demokratike e cila i ka hedhur poshtë akuzat e mazhorancës se pas shpërthimit me tritol të linjës së tensionit të lartë në Fushë Krujë qëndrojnë eksponentë të saj. Opozita shpreh keqardhje për këtë shpifje sipas saj, të kryeministrit Edi Rama.

“Një shpifje e tillë tregon dëshpërimin e thellë të shefit të Taulantit dhe të Elisës, i cili e ka lidhur fatin me krimin dhe porositësit e tritolit.

Nëse ai nuk ka dorë në këtë propagandë helmuese, Edi Rama, i cili ka kontroll të plotë mbi policinë, shërbimin sekret dhe prokurorinë, duhet të zbulojë pa vonesë ata që kanë urdhëruar dhe kanë vendosur tritolin në shtyllën e tensionit të lartë.

PD dënon me forcë këto shpifje djallëzore të nivelit të Griseldës, që bëhen për të nxitur urrejtjen dhe për të rritur konfliktin në vend”, thuhet në reagim.

Partia Demokratike thotë se në PS, “ka personalitete që mund ta ndihmojnë partinë e tyre në këtë ditë të hallit ku ka rënë, duke kontribuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat