Ambasada gjermane: Reformat e nisura të ecin përpara, parlamenti vendi i debatit

Shqipëria

Ambasada gjermane: Reformat e nisura të ecin përpara, parlamenti vendi i debatit

Më: 18 mars 2019 Në ora: 17:43
Susanne Schütz

Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë Susanne Schütz thotë se Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Europian dhe për këtë nuk duhet humbur kohë. Në një deklaratë, ambasadorja bën apel për vijimin e reformave. Ajo përshëndet faktin që edhe pse ngadalë, reforma në drejtësi po ecën.

“Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Europian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë –  reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon”, shprehet Schütz.

Më tej ajo theksoi se e rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale. “Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore”, tha ajo.

Duke komentuar vendimin e opozitës për dorëzimin e mandave, ambasadorja thotë se respekton vendimin e secilit deputet, ndërsa thekson se debati duhet të zhvillohet në parlament.

“Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin  e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend”, deklaroi Schütz.

Ambasadorja shprehet e zhgënjyer për bashkëpunimin mes opozitës dhe qeverisë për reformën zgjedhore. “Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitdjeës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve”, përfundoi deklaratën ambasadorja Schütz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat