“Shqiptarët grabisin shtëpinë e yllit të Realit të Madridit”, reagon përgjegjësi i Kulturës në Laç

Shqipëria

“Shqiptarët grabisin shtëpinë e yllit të Realit të Madridit”, reagon përgjegjësi i Kulturës në Laç

Më: 19 mars 2019 Në ora: 22:23
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ish-Kryeministri Sali Berisha publikoi dje një denoncim, ku pretendohet se dy drejtorë të Bashkisë së Kurbinit ndodhen të arrestuar në Spanjë me akuzën e vjedhjes.

Madje, në denoncimin e Berishës thuhet se bëhet fjalë për vjedhjen e shtëpisë së sulmuesit të Real Madrid, Karim Benzema.

Denoncimi bën fjalë për drejtori e Ujësjellës Kanalizimeve në Kurbin, Alfred Prodani, dhe përgjegjësin e Pallatit të Kulturës, Dritan Paja. Në mesazhin që një qytetar nga Laçi i ka dërguar Berishës, thuhet se Prodani dhe Paja nuk janë në krye të detyrës, pasi ndodhen të arrestuar në Spanjë.

“Një pyetje nga qytetari i Laçit për Edvinin: Ku janë dy narkodrejtorë që janë zhdukur?!”, shkruan Berisha, duke vijuar me publikimin e denoncimit: Përshëndetje z. Berisha, jam një qytetar nga Laçi. Ma pyet pak Kryeministrin ku ndodhen dy drejtorët, njëri prej të cilëve i Ujësjellësit, apo janë në burg në Spanjë, ku akuzohen për vjedhjen e shtëpisë së futbollistit të Real Madridit, Benzema. Qyteti i Laçit është pa dy drejtorë”.

Më 27 shkurt, gjatë kohës që po luhej derbi mes Real Madrid dhe Barcelonës, banesa e Benzemasë ra pre e një grabitjeje. Mediat spanjolle lidhur me ngjarjen nuk kanë publikuar detaje, por dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë shtetas nga Shqipëria.

Në përpjekje për të kontaktuar me përgjegjësin e Ujësjellësit në Kurbin, Alfred Prodani, numri i tij i telefonit rezulton i fikur. Burime bëjnë të ditur se 37- vjeçari nga Laçi ndodhet në Spanjë, por nuk dihet nëse është person i ndaluar nga Policia.

Ndërsa Dritan Paja, përgjegjës i Pallatit të Kulturës në Kurbin, nuk dëshiron aspak të reagojë, pavarësisht akuzës së ngritur prej tij. 45-vjeçari rrëzon të gjithë atë që është publikuar në faqen e ish-Kryeministrit, vetëm me faktin se nuk ka qenë asnjë herë në Spanjë.

“E kam ëndërr që të shkoj në Barcelonë, nuk kam qenë kurrë në Spanjë. S’dua të merrem aspak me ëndrrat që ka parë qytetari dixhital e aq më pak me ish-Kryeministri. Fakti që nuk kam qenë kurrë në Spanjë mund të vërtetohet fare lehtë nga sistemi TIM-s. Kam 8 vite në këtë pozicion pune që jam dhe jam përpjekur që të jap më të mirën për kulturën dhe artin në zonën tonë”, thotë Paja, duke shtuar se e gjitha i duket si një sulm politik.

Fillimisht, në mesazhin e Berishës thuhej se bëhej fjalë për drejtorin e Ujësjellësit dhe drejtorin e Kulturës. Por disa orë pas postimit në “Facebook”, ish-Kryeministri e ka ndryshuar postimin, duke mos dhënë një përcaktim për drejtorin e dytë dhe duke mbetur akuza vetëm për kreun e Ujësjellës-Kanalizimeve në Bashkinë Kurbin, që drejtohet nga Pashk Ndokaj, përfaqësues i Partisë Socialiste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat